Deputetja e PD, Jorida Tabaku, e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.
Tabaku u shpreh se protesta e 20 shkurtit, ku ajo ishte pjesëmarrëse, ishte një mënyrë për të kanalizuar pakënaqësinë ndaj qeverisë.
Megjithatë sipas saj për PD nuk ka qenë asnjëherë problem mbushja e shesheve, por demokratët duhet të jenë në terren dhe të ofrojë një alternativë qeverisëse.
Sa i përket qëndrimit të saj brenda radhëve të demokratëve, ajo u shpreh se është pjesë e grupit parlamentar të PD dhe gjithmonë ka qenë e hapur për bashkim, por ky i fundit duhet të ndodhë fillimisht në bazë.
“Unë nuk kam munguar në asnjë protestë të opozitës apo të PD. Protesta është një mënyrë shumë e mirë për të kanalizuar atë që ndjejmë ndaj qeverisë. Shqetësimi im ka qenë se çfarë ndodh të nesërmen pas protestës. PD nuk e ka të vështirë të mbushë sheshet, ne duhet të jemi patjetër në terren dhe të japim një alternativë qeverisëse.
Unë jam pjesë e grupit parlamentar të PD, por kam kërkuar një bashkim para 3 viteve, edhe para zgjedhjeve lokale. Këtë ndarjen që ka ndodhur në grupin parlamentar, ka ndodhur edhe në bazë dhe është e vështirë t’u themi këtyre qytetarëve të bashkohen pasi u bashkuam edhe ne. Unë e kam mbështetur idenë e Konfederatës si një formë bashkimi e opozitës.
Sistemi elektoral sot favorizon koalicionet, nëse do jemi të copëtuar do të ndihmojmë vetëm kundërshtarin tonë, që është qeverisja. PD nuk e ka dhe nuk e ka pasur betejën me SPAK dhe nuk duhet ta ketë.
Me durim po pres të flas në foltoren e Kuvendit, sepse qytetarëve u mungon të flasim se për çfarë po ndodh. Mbyllja e seancave për pak minuta dhe miratimi i ligjeve pa debat është niveli më i ulët i parlamentarizmit. Jam e sigurt që mazhoranca do bënte të njëjtën gjë që ka bërë me ligjet, por ne do vëzhgonim procesin”, u shpreh ajo mes të tjerash./m.j