Nga Kristi Gongo
Ngjarjet e huaja ndodh që të duken sikur të përkasin ty nga bombardimi me to në rrjete sociale. Po sikur të ishte e vërtetë? Ndaloni edhe mendojeni pak!
Në shoqërinë tonë mund të ndodhë. Profili miqësor në dukje e paratë e shumta mund të të gënjejnë. I shoh fotot e shpërndara kudo të një çifti që deri natën e 29 nëntorit problemet nuk ua dinte kush, deri sa problemet e tyre u bën makthi i botës shqiptare.
Një histori makabre e vrasjes së një gruaje nga bashkëshorti në sytë e fëmijëve.
Nuk është humbja e parë e një jete pa të drejtë, por kufijtë e ligësisë, e kafshërisë, e burracakërisë për një vrasje të planifikuar me pagesë, më kanë lënë pa fjalë.
Por po aq më tmerrojnë edhe mallkimet virtuale të të panjohurve në rrjetet sociale; që për fat të keq do të harrohen për tre ditë në çmendurinë e radhës, në urrejtjen e radhës!
Komente virtuale por pa reagim. Fjalë që i fshin koha.
Në realitet, kushdo në familjen e tij të madhe apo të vogël ka një person kundra jetës. Në mos në shtëpi apo në fis, të rrezikshmin e gjen në punë apo në rrugë.
Intrigantin, mashtruesin, delirantin, kriminelin, dhunuesin, e hasim në përditshmëri, e pranojmë dhe heshtim; sepse nuk është në derën tonë; ama mllefin e shfryjmë lehtësisht në internet.
Kur jemi ballë përballë nuk flasim, nuk kundërshtojmë atë që është e gabuar; atë që na lëndon pak nga pak kur e shohim te tjetri, deri sa vjen momenti i vrasjes përfundimtare. Aty shpërthejmë!
Liridona Ademajt ju dhurua që në lindje liria e vendosur në emër. Fundin ia caktoi ai që është babai i fëmijëve së saj.
Me çfarë guximi? Çfarë dënimi e shlyen aktin rrënqethës të NAIM MURSEL-it?
Paratë e lakmuara që shkatërruan familjen. Rrethi i njerëzve si Naimi nuk është i vogël. Për një grusht lekësh, ka njerëz të gatshëm të të marrin jetën.
Për një makinë të shtrenjtë, për një xhiro me jaht, për pushime luksi e shpirtin blozë njerëzit e bëjnë të keqen pa u menduar gjatë.
Shembuj të tillë që shtohen dita ditës, që promovohen dhe adhurohen nga të rinjtë. Ndërsa ne që e sodisim këtë shoqëri në zjarr dhe që pavarësisht se nuk pranojmë të bëhemi pjesë e saj, përfshihemi me pasivitetin tone dhe jemi po aq fajtor që nuk përpiqemi për ta ndryshuar!
Ajo që cilësohet si skenar filmash e krijuar nga mendja njerëzore, po prodhohet në jetën reale çmendurisht. Nuk ka justifikim apo zbukurime letrare. Këta janë të bindur se ja hedhin paq dhe besojnë se veprimi i tyre ka një të drejtë. Le t’iu tregojmë që e kanë gabim.
Por, zgjidhja nuk është varja në mes të sheshit e Naimit sepse marrja e jetës së një gjakprishuri nuk kthen jetën e Liridonës dhe as e liron nga dhimbja familjen e saj. Dhe as e besoj se do arrihet të gjendet ndonjëherë forma si të kthehet qetësia në familjen Ademaj. Ç’ka di është që ligjet dhe normat e shoqërisë duhet të forcohen për të mos lejuar të ketë një Liridonë të radhës!