Shqipëria ka gati shoqërinë shtetërore që do të merret me prodhimin dhe tregtimin e armëve. Qeveria ka miratuar një fond prej 440 milionë lekësh për Ministrinë e Mbrojtjes, nga të cilat 150 milionë lekë, si kapital fillestar për shoqërinë “KAYO”, dhe 290 milionë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të ndërmarrjeve ekzistuese, raporton A2 CNN.
Pas KAYO, shoqërisë shtetërore që do të merret me prodhimin dhe tregtimin e armëve, Shqipëria do të ngrejë edhe një Agjenci të Industrisë së Mbrojtjes. Në Kuvend është depozituar nga qeveria projektligji “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
Agjencia e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por që drejtorin e saj do ta zgjedhë Kryeministri do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 95 milionë lekë çdo vit.
Për prodhimin e armëve “Made in Albania”, sipas relacionit të propozimit ligjor do të ftohen edhe kompani të huaja. Për të tërhequr sa më shumë investime nga jashtë për ringjalljen e industrisë ushtarake, qeveria do të ofrojë edhe lehtësi për kompanitë.
Në fillim të prillit, gjatë përurimit të Qendrës së Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryeministri Edi Rama vendosi si objektiv për vitin 2030 ringjalljen e industrisë ushtarake dhe nisjen e eksportit të armëve “Made in Albania”. Për të arrirë këtë objektiv, vendi do të ndihmohet edhe nga Bashkimi Europian.
/a.r