Avokati Spartak Ngjela në një lidhje “skype” për emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, duke komentuar situatën e djeshme në komisionin e ‘Medias’ ku deputetët Gazment Bardhi e Flamur Noka u përplasën me Flutura Açkën, tha se kjo situatë erdhi si pasojë e gjendjes jo të mirë psikike të opozitës.
Ngjela u shpreh se raste të tilla ndodhin kur opozita humbet shpresën se mund të marrë pushtetin dhe shtoi se do të ketë edhe më shumë raste të tilla.
“Opozita është në një gjendje jo të mirë psikike. S’kemi si e shpjegojmë ndryshe. Kur opozita humbet shpresën ndaj pushtetit fillon humbja e ekuilibrit dhe kjo i çon në agresivitete me nivel të ulët. Kjo është aksiomë në krimet politike. Gjithmonë opozita bie në një gjendje të rënduar mendore nëse humbet shpresën edhe pasi kanë kaluar 10 apo 12 vjet pa marrë pushtetin dhe do kemi më shumë raste të tilla”- tha Ngjela.
Mes të tjerash, avokati theksoi se opozita do të vazhdojë të humbasë ekuilibrin hap pas hapi dhe se për raste të tilla mund të ketë edhe procese gjyqësore. Sipas Ngjelës, deputetët e opozitës duhet ta kuptojnë se një sjellje e tillë i largon ata gjithmonë e më shumë nga marrja e pushtetit të qeverisjes.
“Parlamenti e ka humbur luftën politike. Këta janë në gjendje mendore jo të qartë për kohën. Kanë pasur mangësi në koshiencën politike por kriza ua nxorri në pah. Nuk kanë fuqi t’i rezisztojnë gjatë një humbje të thellë. Ekuilibri do vazhdojë të humbasë hap pas hapi. Kam 4 raste të tilla nëpër parlamentet e opozitave që kanë humbur Këtu do shikoni procese gjyqësore, por a do kenë mundësi të kuptojnë se ajo rrugë nuk i sjell dot në pushtet po i largon njëherë e përgjithmonë? Nuk e di, duhet ta shikojnë me vëmendje”- shtoi avokati.
/f.s