Sulmi ajror i Izraelit zhduk familjen 36 anëtarëshe në Gaza teksa çelnin iftarin

Në sektorin qendror të Rripit të Gazës, familja al-Tabatibi po festonte të premten e parë të Ramazanit dhe po përgatiste vaktin e mëngjesit para agjërimit, kur një bombë e ktheu shtëpinë në gërmadha.

Sipas 19-vjeçarit Mohammad al-Tabatibi, i cili mbijetoi, 36 anëtarë të familjes së tij u vranë. “Babai im, nëna ime, tezja ime, vëllezërit e mi”, tha i riu palestinez, duke treguar trupat e rreshtuar në spitalin Al-Aksa në Deir al-Ballah.

Ata bombarduan shtëpinë teksa ne ishim brenda. Nëna dhe tezja ime po përgatisnin darkën, vaktin para fillimit të agjërimit”, shtoi ai.

Sulmi ndodhi në rezidencën e refugjatëve Nuseirat, ku Mohammad dhe familja e tij, të dëbuar nga pjesa veriore e Rripit të Gazës, ishin vendosur, duke i pritur të afërmit e tyre, pas fillimit të luftës.

Nuk e di pse e bombarduan shtëpinë”, tha Mohammad, i plagosur në krahun e majtë dhe i tronditur.

Ministria e Shëndetësisë e Hamasit regjistroi 36 të vdekur, anëtarë të së njëjtës familje, nga goditja që ia atribuoi ushtrisë izraelite.

Ushtria izraelite iu përgjigj një pyetjeje të AFP-së duke thënë se “objektivi i saj ishin dy terroristë nga fraksioni Nuseirat” i Hamasit, pa elaborim të mëtejshëm. “Rrethanat e ngjarjes janë duke u shqyrtuar”, shtoi IDF.

Nga ana e saj, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi në X se sulmet ajrore shënjestruan disa rezidenca gjatë natës në kampin e refugjatëve.

Në total, 60 sulme ajrore u kryen gjatë natës në të gjithë Rripin e Gazës, sipas autoriteteve të Hamasit.

Në rrënojat e shtëpisë së familjes al-Tabatibi, Youssef, një tjetër anëtar i familjes, kërkon për personat e zhdukur në rrënoja.

“Ne nuk mund të gjejmë disa nga të vdekurit. Nuk kemi pajisje, ekskavatorë, makineri, asgjë. Ne duhet të përpiqemi t’i nxjerrim ato me duart tona. Kemi sjellë lopata dhe çekiç, por më kot”.

Në spitalin Al-Aksa në Deir al-Ballah, dhjetëra njerëz janë mbledhur rreth të vdekurve, mes tyre dy fëmijë të vegjël, të cilët janë vendosur në thasë ose të mbështjellë me çarçafë të bardhë ose batanije.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com