Sulmet kibernetike ndaj Institutit të Statistikave nuk ishin të parat dhe nuk do të jenë as të fundit. Përkundrazi ato do të shtohen dhe do të jenë më të sofistikuara. Me këtë paralajmërim, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe Certifikimit Elektronik kërkon angazhimin e të gjithëve për t’u mbrojtur nga Irani apo nga të tjerë hakera.
“Nevojitet një ndërgjegjësim në nivel kombëtar për promovimin e rregullave bazë të përdorimit të teknologjisë. Kjo kërkon një bashkëpunim dhe koordinim shumë të mirë të institucioneve. Do të shtoja edhe me nevojën për të bashkëpunuar me universitetet në drejtim të përgatitjes së burimeve njerëzore të kualifikuara”, tha Esmeralda Kazia, pedagoge, eksperte e sigurisë kibernetike.
Rënia e “shtetit digjital” verën e vitit 2022 veç brishtësisë së infrastrukturës edhe neglizhencës së atyre që punojnë për të ruajtur të dhënat, nxori në pah edhe nevojën për ndryshime rrënjësore. Duke reflektuar mbi atë që ndodhi, qeveria hartoi dhe miratoi Strategjinë e re të Sigurisë kibernetike. Po çfarë duhet bërë tjetër për të mos qenë kaq të brishtë ndaj hakerave?
“Në aspektin teknik është i nevojshëm implementimi korrekt i paramentrave të sigurisë. Normalisht do të duhet të bëhet edhe segmentimi i rrjetit duke vendosur role të ndryshme për përdorues të ndryshëm. Gjithashtu do të duhet të bëhet zëvendësimi i pajisjeve EOSLI (end of service suport)”, tha Esmeralda Kazia, pedagoge, eksperte e sigurisë kibernetike. Po cilat janë sektorët dhe infrastrukturat më kritike ndaj sulmeve kibernetike në vend? “Sistemet më kritike janë sistemet Core, ato të TIMS, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Nëse bie TIMS-bi bllokohen kufijtë. Kur bie sistemi i tatimeve dëmi ekonomik është shumë i madh”, tha Kazia.
Teksa e cilësoi sigurinë kibernetike si “balenë e madhe që tret gjithçka”, kreu i AKCESK, Igli Tafa ka thënë ne A2 CNN se duhet angazhimi i të gjithëve në atë që, duke iu referuar Iranit, e quajti si “luftë me një shtet të tërë./m.j