Një fëmijë është vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur në një sulm me thikë në një shkollë fillore në kryeqytetin kroat, Zagreb, shkruan A2 CNN. Autori i sulmit, 19-vjeçar, i cili besohet të jetë një ish-nxënës, hyri në një klasë të vitit të parë në Shkollën Fillore Prečko herët në mëngjesin e së premtes dhe sulmoi mësuesen dhe disa fëmijë me thikë, raportoi N1, filiali i CNN. Sipas Associated Press, fëmija që humbi jetën ishte një vajzë 7-vjeçare.
Helikopterët kanë transportuar të plagosurit në spitale në të gjithë qytetin. Mësuesja ka pësuar dëmtime të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike, tha Spitali Sveti Duh. “Atentatori është arrestuar. Personat e plagosur po marrin trajtim mjekësor,” tha policia e Zagrebit.
Dëshmitarët raportuan skena kaotike ndërsa ambulancat nxituan drejt shkollës dhe njerëzit u larguan nga ndërtesa. Video të ndara në rrjetet sociale treguan dhjetëra njerëz që vraponin larg një ndërtese përtej fushave sportive të shkollës.
Zyrtarë të ndryshëm, duke përfshirë kryetarin e qytetit Tomislav Tomasevic dhe Ministrin e Brendshëm Davor Bozinovic, janë në vendngjarje, tha N1.
Kryeministri Andrej Plenkovic tha se vendi është “i tronditur” nga “tragjedia.” Ai deklaroi se Ministrja e Shëndetësisë, Irena Hristic, do të vizitojë spitalet ku po kurohen të plagosurit.
Sulmet në shkolla janë të rralla në Kroaci dhe në rajonin e Ballkanit. Vitin e kaluar, Serbia u trondit nga dy të shtëna masive brenda dy ditësh, ku e para kishte në shënjestër një shkollë në kryeqytetin Beograd.