Stuhia “Zoltan” goditi Gjermaninë natën e së premtes duke lënë pas dëme të konsiderueshme. Në shumë lande gjermane për shkak të stuhisë u mbyllën tregjet e krishtlindjeve. Lëvizja e anijeve në brigjet veriore të Gjermanisë u ndërpre.
Sipas mediave gjermane, për Hamburgun dhe brigjet e Detit të Veriut ka paralajmërime për përmbytje gjatë ditës së sotme. Niveli i ujit, sipas autoriteteve i kalon tre metra mbi nivelin normal të ujërave në rast rreziku të përmbytjes.
Stuhia që filloi orët e vona të së enjtes pati pasoja të mëdha në trafikun hekurudhor në të gjithë Gjermaninë, si ndërprerje të udhëtimeve apo vonesa të mëdha në trenat rajonalë edhe ata të distancave të gjata.
Mjaft lande federale raportuan për dëme të mëdha e të lënduar. Në Saksoni-Anhalt ka pasur dëme të konsiderueshme dhe dy të plagosur, ndërsa në landin Shlezvig-Holshtajn një person u plagos rëndë pas përplasjes së automjetit të tij me një pemë të rrëzuar në rrugë.
Në Hesen stuhia ka shkaktuar dëme që kalojnë 130.000 euro, sipas autoriteteve.