Një pjesë e madhe e qytetit së Librazhdit është përfshirë nga një stuhi e pazakontë pasditen e sotme.
Reshje të dendura shiu të shoqëruara me erëra të fuqishme kanë shkaktuar probleme të shumta. Raportohet se për shkak të mbizotërimit të motit të keq është bërë pothuajse i pamundur qarkullimi i automjeteve nëpër rrugë.
Ndërkohë era e fortë ka sjellë jo pak pasoja duke dëmtuar pemë, shtyllat e energjisë elektrike, përcjellës të rrjetit elektrik e për pasojë dhjetëra fshatra kanë mbetur pa energji elektrike.
Gjithashtu për shkak të reshjeve të dendura janë përmbytur disa rrugë. Sakaq, të gjitha ndërmarrjet e shërbimeve të bashkisë Librazhd dhe strukturat e emergjencave civile kanë kaluar në gatishmëri për të përballuar situatën e krijuar.