Stoltenberg: Rusia të mos ketë iluzione, NATO do të mbrojë secilin vend anëtar

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim rreth gatishmërisë së aleancës për të mbrojtur secilin shtet anëtar të saj.

Këtë deklaratë shefi i NATO-s e bëri në prag të nisjes së takimit të ministrave të Mbrojtjes së shteteve të NATO-s, që mbahet më 14 shkurt. Në këtë takim do të diskutohet për situatën në Ukrainë, për fuqinë e aleancës dhe përgatitet për samitin e Uashingtonit në korrik, kur do të shënohet edhe 75-vjetori i themelimit të NATO-s.

Stoltenberg u pyet nga gazetarët rreth gatishmërisë së NATO-s, pas deklaratave të bëra nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha se shteti i tij nuk do t’i mbronte aleatët nëse nuk përmbushin obligimet financiare ndaj NATO-s.

“NATO do të vazhdojë të sigurojë që në Moskë të mos ketë asnjë dyshim se do të mbrojmë secilin shtet anëtar. NATO për 75 vjet ka parandaluar çdo sulm ndaj cilitdo vend anëtar. Kjo për shkak se të gjithë e kanë ditur se NATO do ta mbrojë secilin vend anëtar. Baza e NATO-s është parimi se sulmi ndaj një vendi anëtar është sulm ndaj të gjithëve”, tha Stoltenberg.

“Secili sugjerim se nuk do ta mbrojmë njëri-tjetrin rrit rrezikun. Duhet edhe me vepra, por edhe me fjalë të bëjmë të qartë se mbetemi të gatshëm të mbrojmë secilin anëtar. Prandaj edhe nuk shohim ndonjë rrezik të menjëhershëm për sulme ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s, sepse të tjerët e dinë se cila do të ishte përgjigja e NATO-s”, shtoi ai.

Shefi i NATO-s përmendi shifrat e fundit lidhur me investimet e aleatëve në fushën e mbrojtjes, që sipas tij, dëshmon se ka përparim drejt përmbushjes së obligimit që nga buxhetet nacionale të ndahen së paku 2 për qind e Bruto Prodhimit Vendor.

“Prej kur në 2014 u bë premtimi në nivel të NATO-së për 2 për qind të BPV-së investime në mbrojtje, janë shtuar 600 miliardë euro më shumë në këto shpenzime. Vitin e kaluar është rritur për 11 për qind investimi në mbrojtje nga vendet evropiane dhe Kanadaja. Këtë vit, 18 vende anëtare të NATO-s do të arrijnë nivelin prej 2 për qind”, tha ai.

Trump, i cili po synon të marrë nominimin e republikanëve për të garuar sërish për Shtëpinë e Bardhë, në fundjavë ka rikujtuar një takim me liderë të NATO-s, e ka cituar presidentin e një “shteti të madh”, që nuk ia ka përmendur emrin, duke e pyetur atë, “Zotëri, nëse ne nuk paguajmë, dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni?”.

“I kam thënë: ‘Nuk keni paguar? Jeni delikuent?’ Ai ka thënë: ‘Po, kështu ka ndodhur’. Jo, nuk do t’ju mbroj juve. Në fakt do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguani”, deklaroi Trump.

Deklaratat e Trumpit kanë nxitur kritika të ashpra nga Shtëpia e Bardhë, Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com