Festivali i 23-të Ndërkombëtar i Skive “Vasaloppet” startoi të shtunën në Changchun, kryeqendra e provincës Jilin të Kinës verilindore.
Veprimtaria mblodhi së bashku mbi 2000 atletë profesionistë dhe të pasionuar të skive nga e gjithë bota, duke përfshirë pjesëmarrës nga Kina, Suedia, Norvegjia, Italia, Finlanda dhe Gjermania, shkruan “Xinhua”.
Skiatori çek, Fabian Stocek, mbrojti titullin e tij në 50 km për meshkuj me 2:05:22.914, 17.567 sekonda përpara skiatorit suedez Hallen Johansson, i cili fitoi medaljen e argjendtë. Lorenzo Busin i Italisë mori medaljen e bronztë. “Kjo është hera ime e pestë në “Vasaloppet Kinë”. Peizazhi është i bukur dhe këtë vit është kohë e bukur me diell”,- tha Stocek.
Në garën 50 km për femra, skiatorja suedeze Malin Borjesjo fitoi me kohën 2:25:31.309, ndërsa skiatoret kineze Li Lei dhe Chi Chunxue morën respektivisht medaljen e argjendtë dhe të bronztë.
Festivali Ndërkombëtar i Skive Vasaloppet, me origjinë nga Suedia, është një nga ngjarjet më të mëdha në botë të skive. Në vitin 2003, “Vasaloppet China” u prezantua në Changchun, duke u bërë vendi i katërt global për festivalin pas Suedisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Që nga viti 2014, “Vasaloppet China” ka qenë një anëtar zyrtar i “Worldloppet”, organizata kryesore botërore e skive në distanca të gjata.
Gjatë dekadës së fundit, Jingyuetan është bërë një qendër për skiatorët elitë nga e gjithë bota.
Skiatori kinez Li Fan, i cili merr pjesë për herë të gjashtë, u shpreh i emocionuar për garën. “Është emocionuese të konkurrosh së bashku me kaq shumë atletë ndërkombëtarë dhe skiatorë të nivelit të lartë. Këtë vit, erdha me katër kolegë të pasionuar pas skive. Nëse është e mundur, do të doja të kthehesha çdo vit”,- tha Li.
Përtej garave, Jingyuetan ka bashkëpunuar me disa universitete në Changchun për të ofruar trajnime për mirëqenien publike në skijim.
Më shumë se gjysmë milioni studentë janë trajnuar në Jingyuetan që nga viti 2005.