Një gjykatë turke ka dënuar 37 persona të akuzuar se kanë kryer aktivitete spiunazhi në favor të shërbimit sekret izraelit Mossad, me dënime që variojnë nga 6 deri në mbi 8 vjet burg.
Në gjyqin në të cilin u akuzuan 57 persona të arrestuar muajt e fundit me akuzën e spiunazhit për Mossad-in, 35 u dënuan me 6 vjet e 8 muaj burg dhe dy të tjerë me 8 vjet e 4 muaj burg për “marrje të paligjshme informacion për qëllime spiunazhi”. Ndërsa të pandehurit e tjerë u shpallën të pafajshëm, raportojnë mediat turke.
Të pandehurit u akuzuan se punonin për Mossad-in për të ndihmuar institucionet e spiunazhit t’u dërgonin para operativëve të saj dhe se po bënin “punë taktike” për objektivat e Mossad-it.
Ndërsa konflikti palestinezo-izraelit po vazhdon, Turqia ka zbuluar disa rrjete të operuara nga Mossad në vend.
Që nga janari, autoritetet kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra njerëz të dyshuar për lidhje me Mossad-in e Izraelit.
/a.r