Spiropali: Berisha, aleancë anti-SPAK për të mbajtur peng Shqipërinë

Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, në një takim me vajzat dhe gratë e Kavajës u shpreh se PS mezi e pret ditën e zgjedhjeve për të treguar se ky qytet e do Shqipërinë Europiane.

Ajo hodhi edhe akuza ndaj kryedemokratit Sali Berisha, duke thënë se ai shkoi në Kavajë për të përçarë njerëzit. Sipas Spiropalit, Berisha ka krijuar aleancën anti-SPAK për të mbajtur peng Shqipërinë.

“Bufi erdhi dje në Kavajë me vrap besoj e patë dhe dha mesazhin më të shëmtuar në një ditë të mirë, në ditën e Pashkës, në ditë harmonie e tolerance për të cilën Kavaja shquhet ndër breza. Këtu ka shembuj të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës fetare, për mbrojtjen e të ardhurve, të bashkëjetesës mes komuniteteve. Erdhi këtu lëshoi helmin e tij më mënyrën më të shëmtuar të mundshme dhe iku prapë, siç ka ikur gjithmonë nga Kavaja. Ka ardhur vetëm për të ngritur dy gishtat, për të përçarë njerëzit dhe pastaj për të ikur aty ku e ka vendin. Vendin nuk e ka në parlament, e ka diku tjetër dhe ka krijuar aleancën sot anti-drejtësi, anti-SPAK, anti-Shqipëri për të mbajtur peng Shqipërinë, por nuk ia del dot se ka mbetur shumë pas. As partinë e tij nuk e nxorri dot nga gropa. Është fakt që ata janë në gropë prej tij”, tha Spiropali.


Prandaj sipas saj, më 11 Maj, shqiptarët janë përballë dy zgjedhjeve.

“Zgjedhja është o me interesin kombëtar, o për hallin e një njeriu të vetëm. O me Edi Ramën në Europë, o me ta në gropë, kjo është zgjedhja sot nuk ka zgjedhje tjetër”, tha Spiropali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com