SPAK kontrollon një banesë në Vlorë, avokati i Beqajt: Tentativë e dëshpëruar! Shtëpia s’është e ish-ministrit

Ermal Yzeiraj, avokati mbrojtës i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, ka reaguar pas kontrollit që agjentë të Prokurorisë së Posaçme kryen në një banesë në zonën e Lungomares në Vlorë.

Sipas tij SPAK ka ushtruar kontroll në një banesë jo në pronësi të Beqajt, por në të cilën ish-ministri ka jetuar duke lidhur një kontratë qeraje.

“Sot më datë 24.07.2024, rreth orës 14:00, unë si avokat i z. Ilir Beqaj jam kontaktuar në telefon nga oficerët përkatës të SPAK, të cilët më kërkuan të isha prezent në kontrollin që do ti bëhej (sipas tyre) shtëpisë në pronësi të z. Ilir Beqaj në Vlorë, duke më kërkuar gjithashtu që tu sillja nga Tirana dhe çelësin e kësaj shtëpie pasi në rast të kundërt do të shpërthenin derën. Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka patur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020.”

Yzeiraj pretendon më tej se kontrata e qerasë për këtë banesë ka përfunduar në vitin 2020, ndaj ai si palë mbrojtëse nuk kishte arsye për të shkuar në Vlorë, pasi u thirr në telefon nga agjentët e SPAK për t’iu dorëzuar çelësin e kësaj prone.

“Përgjigja ime ishte që nëse bëhet fjalë për shtëpinë që z. Beqaj ka patur me qira dhe që e ka deklaruar dhe në ILDKPKI, kjo kontratë qiraje e 2020 ka kohë që nuk është më në fuqi dhe z. Ilir Beqaj ka kohë që nuk e përdor më këtë shtëpi me qira, prandaj unë si avokat nuk kisha përse të nisesha nga Tirana për në Vlorë për të marrë pjesë në kontrollin e një banesë që ishte në pronësi dhe në përdorim të dikujt tjetër dhe madje një kërkesë e tillë ishte dhe tërësisht e paligjshme. Z. Ilir Beqaj nuk është as qiramarrës dhe as posedues i këtij apartamenti. Madje nuk ka sens logjik që z. Beqaj të jetë përdorues i këtij apartamenti kur të gjithë e dinë që z. Ilir Beqaj është tashmë në ambientet e paraburgimit.”

Në vijim ai shprehet se “një kontroll i tillë është veçse një tentativë e dëshpëruar për të gjetur me çdo kusht një arsye që z. Ilir Beqaj të mbahet në burg dhe tregon që arsyet e deritanishme nuk paskan qenë dhe kaq bindëse sa pretendohej se ishin”. Avokati i Beqajt po ashtu nënvizon se të gjitha veprimet e deritanishme për mbajtjen e Beqajt me masë sigurie “arrest në burg” janë në kundërshtim me jurisprudencën e GJEDNJ.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com