SPAK dorëzon për gjykim dosjen “Toyota Auris”, ja akuzat që rëndojnë ndaj 4 të pandehurve

SPAK dorëzon zyrtarisht për gjykim dosjen penale “Toyota Auris”. Sikurse News 24 raportoi më herët të pandehur janë 4 persona, ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficerja e policisë gjyqësore pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda, Erjona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat e korrupsionit në disa raste si dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm si dhe nxjerrje të sekretit të hetimit.

Sipas prokurorisë të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin dosjen e 3.4 milion eurove që u bllokua në Portin e Durrësit, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.

SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.

Hetimi nisi mbi bazën e të dhënave të Sky Ecc që SPAK iu vunë në dispozicion nga autoritetet franceze, ku mes të pandehurve u zbuluan komunikime për çështjet.

Gjatë hetimit, u pyet një numër i lartë gjyqtarësh e prokurorësh, si dhe njerëz të politikës, të cilët përmendeshin në komunikimet mes të pandehurve, por ndaj tyre nuk janë gjetur prova për t’i vënë nën akuzë.

Në përfundim, avokatëve iu la një afat 10 ditor për të paraqitur kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën dhe prokuroria e përcolli më pas dosjen për gjykim.

Gjykata e Posaçme pritet ta hedhë tashmë dosjen në short për të përcaktuar gjyqtarin paraprake që do ta shqyrtojë atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com