SPAK ka çuar për gjykim dosjen e të penduarit të drejtësisë, Amarildo Nikolli.
Kështu Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për një ngjarje që do të kryhej në Gusht të vitit të shkuar, ku në një atentat synohej të vriteshin Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj.
Sipas hetimeve, Amarildo Nikolli, ose siç njihet edhe me mbiemrin tjetër, Xhanej, do të ishte ekzekutori, ndërsa porositës Leonard Luzi, i njohur edhe me mbiemrat Zejno e Sejno, i ekstraduar në Nëntor nga Spanja në Shqipëri.
Në verën e vitit 2023, Policia e Vlorës arrestoi të riun Amarildo Nikolli.
Disa muaj pas arrestimit, Nikolli vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë duke treguar se si bashkë me 3 të tjerë do kryente atentatin. Sipas tij organizimi i vrasjes së dyfishtë u bë nga Leonard Luzi.
Motiv për ngjarjen, SPAK thotë se ishte bërë hakmarrja dhe lufta për të kontrolluar lojërat e fatit në Vlorë, ndërkohë hetimet vijojnë për të identifikuar financuesin e atentatit të dështuar.
/a.r