Këngëtarja e njohur Elvana Gjata vijon aktivitetet e saj, e ftuar nëpër koncerte brenda dhe jashtë vendit, e pa shqetësuar nga hetimet e SPAK.
Emri i saj doli i përmendur në përgjimet e grupit Ervin Mata, ish- i fejuari i këngëtares, ku përmendej për transferimin e shumave të mëdha të parave. Kjo ishte arsyeja që SPAK, nisi një hetim pasuror për familjarët dhe rrethin e ngushtë të Ervin Matës, ku gjendej i renditur edhe emri i këngëtares.
Pavarësisht kësaj, jo vetëm që Gjata vijon punën e pa shqetësuar, edhe organet e pushtetit lokal, nuk iu ka bërë përshtypje asnjë gjë nga ndodhitë e fundit. Në fund të fundit, janë aq hapur aq shumë fronte hetimesh në Shqipëri, e janë vendosur aq shumë figura publike në hetim, sa tashmë të bëjnë më shumë përshtypje ata që s’janë në hetim.
Pas një koncerti që mbajti në Gjermani, mbrëmjen e sotme këngëtarja është e ftuar nga bashkia e Vlorës, për koncertin që do të mbahet për 28 Nëntor. Ndërkohë që mbrëmjen e nesërme ajo do të jetë e ftuar nga bashkia e Tiranës, për koncertin që do të mbahet në kryeqytet. Ka qenë vetë këngëtarja e cila ka publikuar axhendën në profilin e Facebook.