Sot është nata finale e Festivalit të Këngës në RTSH ku do të zgjidhet fituesi i edicionit të 62 nga juria me 11 anëtarë profesionistë. Në skenë sot do të përformojnë 22 këngëtarë, 8 prej të cilëve janë artistë të rinj debutues. Por në garën për në Eurovizion do të jenë të 31 pjesëmarrësit e këtij edicioni dhe do të jetë vota e teleshikuesve që do të përcaktojë përfaqësuesin e Shqipërisë në kompeticionin europian. Ndërkohë natën finale të Fest 62 do të kenë mundësi ta ndjekin gjithë shqiptarët e rajonit, pasi do të transmetohet drejpërsëdrejti në disa televizone publike, në vendet ku ata jetojnë. Për teleshikuesit nga Kosova, nata e fundit e festivalit do të transmetohet në kanalin kryesor të Radio Televizionit të Kosovës ndërsa tre netët e kaluara janë transmetuar në kanalin muzikor të RTK-së. Nata finale e Fest 62 do të transmetohet drejpërsëdrejti edhe në Maqedoninë e Veriut përmes valëve të kanalit të dytë maqedonas, atij në gjuhën shqipe. Për herë të parë në historinë e festivaleve, nata finale e Fest 62 do të transmetohet edhe në Malin e Zi në kanalin shqip të radios së Malit të Zi, i vetmi kanal atje që transmeton shqip 24 orë.
Begaj dhe Kurti, mes personaliteteve të shumta në natën finale
Natën finale të Festivalit të 62-të të Këngës në RTSH pritet ta ndjekë edhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shoqëruar nga bashkëshortja, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në sallën e Pallatit të Kongreseve, në natën finale, do të jenë të pranishëm edhe kantautori dhe një prej moderatorëve më të njohur në vend në botën e spektaklit, Ardit Gjebrea, së bashku me bashkëshorten, regjisori Petri Bozo, çifti i famshëm Luiz Ejlli dhe Kiara Tito. Do të performojë edhe Aurela Gaçe.
Nata e katërt finale e Fest 62 pritet të ketë edhe shumë personalitete të tjera të njohura, të cilët do të shijojnë drejtpërdrejt natën magjike të Fest 62, si dhe momentet e ndarjes së çmimeve. Surprizat nuk do të jenë vetëm në sallën e Koncerteve në Pallatin e Kongreseve, por edhe në skenën magjike e cila është kthyer në epiqendrën e artit dhe kulturës mbarëkombëtare.
A do të jetë fituese për herë të katërt dhe a do të shkojë në Eurovizion për herë të parë në Elsa Lila?
Ajo në tre pjesëmarrje e ka fituar tre herë festivalin. Megjithatë nuk ka shkuar asnjëherë në Eurosong. Kjo për arsyen se në dy rastet e para që Elsa Lila fitoi festivalin në RTSh, Shqipëria nuk e kishte fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Eurosong. Fitorja e vitit të kaluar nuk i dha mundësi, pasi u shpallën dy fitues dhe ai me votat e publikut të cilin e fitoi familja “Kelmendi” mori këtë të drejtë. Nuk duhet paragjykuar, pasi Elsa Lila për nga niveli i lartë artistik merr pjesë për të fituar. Cila është kënga me të cilën Elsa Lila Pretendon të çojë Shqipërinë në Eurovizion? Elsa Lila garon në “Festivalin e Këngës në RTSH” të këtij viti me këngën “Mars”, e cila vërtetë është një këngë emocionuese që përfshin shpirtërisht dëgjuesin gjatë interpretimit.
Kjo këngë është një kompozim i vetë këngëtares të njohur për publikun shqiptar dhe është dirigjuar në orkestër nga mjeshtri italian Enrico Melozzi. Kënga pasqyron sfidat dhe rrënimin shpirtëror që Elsa Lila ndjeu në periudhën ku u arrestua nga policia italiane, nën akuzën për trafikim droge.
Ndër rreshta, ajo ndan përvojën e saj personale. “Ishte një mars i gjatë, në një dhomë të ftohtë, me mure zhgarravitur”, duke evokuar kujtesën e asaj kohe kur ajo u arrestua nga autoritetet italiane.Disa muaj më pas, Elsa Lila u shpall e pafajshme nga autoritetet italiane, por sidoqoftë kjo ngjarje tronditi jetën e saj.
Lista e këngëtarëve që do të performojnë sonte në natën finale:
Kastro Zizo-2073
Mal Retkoceri – Çmendur
Erina & The Elementals – Jetën n’skaj
Melodajn Mancaku – Nuk jemi më
Tiri Gjoci-Në ëndërr
Kleansa Susaj – Pikturë
Irma Lepuri – Më prit
Festina Mejzini-Melos
Eldis Arrnjeti – Një kujtim
Martina Serreqi – Vetëm ty
Besa Krasniqi – Esenciale
Sergio Hajdini – Uragan
Olimpia Smajlaj – Saj
Anduel Kovaci – Nan
Michela Paluca – Për veten
Peter Pan kuartet – Një herë
Besa Kokëdhima – Zemrën n’dorë
Arsi Bako – Zgjohu
Elsa Lila – Mars
Andi Tanko-Herë pas here
Shpat Deda – S’mund t’fitoj pa ty
Big Basta & Vesa Luma-Mbinatyrale