Sot më 7 prill kujtohet datëlindja e ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela!
E lindur më 7 prill të vitit 1939, Vaçja është idhulli i shumë brezave e cila me zërin e saj unik bekoi veshët e publikut shqiptar.
Vaçe Zela e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi “Festivalin e Këngës”. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.
Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.
Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Vaçja ndërroi jetë në shkurt të vitit 2014-të, ku më 6 shkurt 2014 muzika shqiptare mbeti pa mbretëreshën e saj, pasi Vaçe Zela duke lënë një boshllëk të madh në muzikën dhe artin shqiptar.