Skandali i mbetjeve toksike të Kurum, Tabaku: Njollë për Shqipërinë. Duhet hetim i plotë administrativ

Një aferë e përmasave ndërkombëtare dhe njollë për Shqipërinë e ka cilësuar deputetja demokrate Jorida Tabaku, çështjen e transportit të mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit. Në një intervistë me Bruna Çifligun në A2 CNN, ajo u shpreh se përgjegjësia është e të gjitha instancave shtetërore pjesëmarrëse në këtë procedurë, nga Ministria e Mjedisit te drejtoria e Doganave.

“Kompania prodhon mbetje të tilla, por procesi teknologjik për t’i eliminuar ato ka kosto të lartë dhe kompania zgjedh ta bëjë këtë në rrugë ilegale, duke përdorur portin për t’i nxjerrë nga Shqipëria, korrupsionin me zyrtarë, por edhe qoftë duke falsifikuar dokumente. Unë këtë nuk e di. Por e sigurt është që mbetjet kanë lëvizur ne territorin shqiptar, qoftë me një leje mjedisore dhe duke mos pasur kontrollin se çfarë mbetjesh janë këto, është Ministria e Mjedisit përgjegjëse. Kanë shkuar në Portin e Durrësit, dhe këtu është drejtori i portit përgjegjës, janë skanuar dhe këtu është drejtoria e doganave përgjegjëse”, raporton A2.

Ajo i quan arrogante dhe të papranueshme deklaratat e qeverisë për këtë aferë dhe thekson se vijon e njëjta skemë sikurse me afera të tjera korruptive apo inceneratorët. Për këtë ajo kërkon një hetim të plotë në të gjitha hallkat, pasi bëhet fjalë për transport mbetjesh toksike periodike jo vetëm për Shqipërinë.

“Nuk e pranoj dot që shteti shqiptar të thotë që nuk ka përgjegjësi. Por çfarë do të thotë kjo që kompanitë private mund të bëjnë ç’të duan që kontrollojnë shtetin shqiptar? Të gjitha instancat të përfshira për një aferë korruptive për transportin e mbetjeve jo vetëm me një burim me shumë burime. Kur kjo ka ndodhur me mbetjet, çfarë ka ndodhur me drogën e emigrantët ilegalë? Deklarata e qeverisë është jo vetëm arrogante. Neglizhenca është që t’i japim falje e amnisti që është e tepërt në këtë rast. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një herë, bëhet fjalë për një transport mbetjesh toksike periodike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe Kosovën dhe nuk ka asnjë justifikim për të thënë që jam nga Kosova. Drejtësia duhet të hetojë se kush nga këto hallka ka mbyllur sytë? Kush ka hetuar? Kush është korruptuar?”

Nga studio e A2, Tabaku njoftoi se u ka nisur shkresa të gjitha institucioneve për procedurat që janë ndjekur për këtë aferë, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Si ka mundësi që shteti shqiptar që të mos mbajë asnjë përgjegjësi. Kemi nevojë për hetim administrativ të plotë të kuptojmë kush hallkë nuk ka funksionuar dhe kush ka përgjegjësi nga pikëpamja administrative. Është kërkuar hetim i plotë parlamentar. Kam nisur shkresa për të gjithë institucionet për procedurat që janë ndjekur që në fillim të gushtit. Nuk kam akoma një përgjigje zyrtare nga asnjë institucion. Jam në pritje për të kuptuar përgjegjësitë e secilës palë”.

Deputetja demokrate theksoi se e ka ngritur alarmin që kjo do të ndodhte që me ndërtimin e inceneratorëve që sipas saj kanë kapacitete për të gjithë rajonin.

“Jemi në diskutim ligjin për mbetjet toksike dhe i hap rrugën transportit të mbetjeve por kur qeveria ngre duart si mundet qeveria të hapë rrugën me këtë ligj që paska ndodhur transporti i mbetjeve. E kam ngritur alarmin që kjo do të ndodhën që kur ndodhën inceneratorët se kapaciteti i ndërtimit të inceneratorëve ishte jo vetëm për mbetjet e Elbasanit, Fierit, apo Tiranës. Kapaciteti i inceneratorit i kombinuar mund të trajtonte mbetjet e gjithë rajonit. Qeveria shqiptare vdiq industrinë e riciklimit dhe do t’i hapë derën transportit të mbetjeve me një ligj që është duke u konsultuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com