Pas skandalit diplomatik mes Ekuadorit dhe Meksikës, stafi i ambasadës meksikane do të kthehet në atdhe. Gjatë mesazhit të saj televiziv, ministrja e Jashtme meksikane Alicia Barcena dënoi atë që ajo e cilësoi “agresion” ndaj stafit diplomatik.
“Sipas udhëzimeve të Presidentit Andres Manuel Lopez Obrador, ne po koordinojmë kthimin e të gjithë stafit tonë diplomatik në Ekuador së bashku me familjet e tyre pas sulmit të dhunshëm të kryer nga policia ekuadoriane në ambasadën tonë natën e së premtes më 5 prill.”
Incidenti diplomatik u shkaktua pasi forcat speciale të policisë së Ekuadorit arrestuan brenda selisë diplomatike ish-zv.Presidentin ekuadorian, Horge Glas.
I akuzuar dhe dënuar dy herë nga drejtësia për korrupsion, ish-zv.Presidentit i Ekuadorit, Glas që prej dhjetorit të vitit të shkuar kishte kërkuar strehim, duke kërkuar azil politik.
Ai cilësonte vendimin me natyrë politike dhe deklaronte se po persekutohej nga prokurori i përgjithshëm.
Po kërkesa për azil politik u cilësua nga qeveria e Ekuadorit si jo e mbështetur në ligjet ndërkombëtare ndaj dhe ndërhyri në atë që e cilëson si një akt në mbrojtje të sovranitetit kombëtar.
Arrestimi i Glas mbylli një javë të përshkallëzimit të tensioneve midis Meksikës dhe Ekuadorit, pasi autoritetet ekuadorinane e shpallën ambasadorin e Meksikës në Quito persona non-grata.