“Skandalet” që prodhoi ndeshja Shqipëri- Ishujt Faroe. Përplasja me Serbinë dhe fenë, banderola që turbulloi gjakun e

Ndeshja e Shqipërisë me Ishujt Faroe në Air Albania më 20 nëntor, prodhoi disa lajme, trazoi disa ujëra, lëshoi disa deklarata dhe nxiti një debat të fortë, sidomos jashtë vendit tonë. Lajmi i parë dhe i mirë ishte rezultati, i cili nuk vendoste fatin e Kombëtares për në Euro 2024, pasi tashmë ishte festuar, por përcaktonte renditjen.

Debatet dhe lajmet e tjera nuk kanë të bëjnë me futbollin, pavarësisht se ndodhen në një ngjarje sportive. Dihet tashmë, jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë, ngjarjet sportive kthehen në shfaqje patriotizmi, atdhedashurie, me veshje e simbole kombëtare, që si të thuash ndezin gjakrat dhe nxitin lojtarët në një beteje epike, e ngjashme me një betejë lufte, por që përfundon fatmirësisht pa viktima.

Po çfarë prodhoi kjo ndeshje? E para, “një ndezje të konfliktit” me Serbinë, e cila mezi pret dhe gjurmon çdo rast për të sulmuar shqiptarët dhe për t’u viktimizuar nga ngjarje që shpesh nuk e cenojnë fare. Në JOQ u shfaq një video e tifozëve, të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, të cilët i vendosnin flakën flamurit të Serbisë. Jo se kishte lidhje me fushën, por mesa duket inatet e vjetra, sensi i protagonizmit apo entuziazmi i fitores, i shtyu të rinjtë në një akt të tillë. Fill pas videos, pati një notë proteste nga ana e Serbisë, e cila iu dërgua ambasadës së Shqipërisë në Beograd. Në një reagim nga Ministria e Jashtme, akti cilësohej i papranueshëm, që cenonte marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe kërkohej më tej marrja e masave kundër autorëve, të cilët mund të identifikoheshin nga pamjet.

Lajmi tjetër i cili realisht mori përmasa të mëdha, kryesisht në trojet shqiptare, ishte banderola që u shfaq në stadium në të cilën shkruhej “Zoti është shqiptar”. Ishte një video që paralajmëronte një banderolë të tillë, e shpërndarë në Facebook nga faqja Autochthonous , 24 orë para fillimit të ndeshjes, ku shkruhej: “Kush e kupton e kupton, të tjerëve s’kemi shka u bajmë!”.

Furtuna e vërtetë filloi pas shpalosjes në stadium. Mediat kryesisht kosovare e bënë temë diskutimi dhe debati në emisionet e tyre sportive, me këndvështrime të personave fetarë dhe përfaqësues të Islamit, të cilët e dënuan një akt të tillë. E cilësuan skandalaoze, akt të shëmtuar, mohuese të Zotit dhe një shfaqje të islamofobëve. Pati edhe nga ata që e panë si një metaforë, si një shfaqje të atdhedashurie dhe jo mohim të Zotit, pavarësisht se autorët e banderolës nuk e dhanë të plotë sqarimin dhe interpretimin e tyre, pa lejuar shpërthimin e kaq shumë aludimeve.

Pati edhe një zë feminist në këtë zhurmë, siç ishte ai i aktivistes kosovare Zana Avdiu, e cila në fakt kishte një këndvështrim akoma më interesant, duke thënë se shqiptarët vazhdojnë të mbeten inferior dhe të prapambetur. “Ç’ka d.mt.h një slogan i tillë? Që mendojmë që nuk kemi asnjë gjë dhe asnjë figurë për t’u ndje krenarë si komb. A thu pse nuk shohim kurrë nga gratë veprime të tilla?”, shkruante ajo, në reagimin e vet.

Shqipëria, si gjithmonë pak e ndjeshme dhe përfshirë në debate të tilla, nuk pati ato reagime, për të mos thënë që ishte fare e vakët. Imami Ahmet Kalaja, i cili shpesh shfaqet si një dashamirës i sportit dhe futbollistëve, kritikoi tifozët, duke thënë se nuk përfaqësojnë denjësisht tifozërinë, duke i akuzuar për shfaqje të paganizimit dhe fyerje të besimtarëve dhe lojtarëve që besojnë.

“Zot fali se nuk e dijnë ç’bëjnë!”, shkruante Ahmetaj në Facebook, ndërsa kërkonte marrjen e masave, që ngjarje të tilla të mos përsëriten sërish.

Gjithsesi, me shumë mundësi, kjo ngjarje do të zvenitet me kaimin e kohës, dhe ajo që do mbetet dhe do të rishfaqet sërish është patriotizmi dhe festa e kuqezinjve, tashmë që janë në pritje të shijimit të ëndrrës evropiane./Liberale.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com