Situata në Gaza, Scholz nis turin zyrtar në Lindjen e Mesme

Kancelari gjerman, Olaf Scholz (SPD) fillon të dielën një tur diplomatik në Lindjen e Mesme. Në Jordani ai zhvillon bisedime me Mbretin Abdullahun II në Akaba, vend që ka organizuar urën ajrore të furnizimit për popullsinë në Gaza. Mbreti Abdullah konsiderohet si një nyjë e rëndësishme lidhës mes botës arabe dhe aleatëve perëndimorë të Izraelit.

Më pas Scholz zhvillon bisedime në Izrael. Krahas përmirësimit të gjendjes humanitare të popullsisë në Rripin e Gazës, temë qendrore pritet të jetë edhe ofensiva e paralajmëruar e Izraelit në Rafah. Në Tel Aviv, Scholz takohet edhe me të afërm gjermanë të pengjeve të marra nga Hamasi. Kjo është hera e dytë që kancelari Scholz shkon në Lindjen e Mesme pas sulmit të terrorist të Hamasit më 7 tetor kundër Izraelit. Hamasi kategorizohet nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera si organizatë terroriste.

Kancelari Scholz para udhëtimit në Jordani theksoi edhe njëherë se Gjermania qëndron në krah të Izraelit, që në fund të fundit mbron vetveten. “Dhe Izraeli ka çdo të drejtë të mbrohet kundër sulmit të Hamasit.” Në të njëjtën kohë duhet të respektohen rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Duhet të shmangen viktimat civile dhe duhet të mbërrijë ndihma humanitare në Gaza, tha Scholz.

Nga fundjava avionë të Bundeswehrit të nisur nga Jordania kanë shpërndarë ndihma humanitare nga ajri për Rripin e Gazës. Organizatat humanitare paralajmërojnë, se kjo është e shtrenjtë, e rrezikshme dhe jo efikase. Nevojiten më shumë ndihma humanitare me rrugë tokësore. I këtij mendimi është edhe kancelari gjerman. Natyrisht kjo mënyrë nuk është rruga më e mirë, tha Scholz. Rruga më e mirë është, nëse më shumë kamionë me ndihma me rrugë tokësore do të mbërrinin në Rripin e Gazës./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com