Në ditën e parë të Shkollës Kryeministri Rama nuk e mohoi që siguria në shkolla është ende një problem dhe për këtë arsye vitin e ardhshme qeveria ka menduar që të implementojë kamera për monitorimin e shkollave. Shefi i qeverisë propozoi që mësuesit pensionistë të rikthehen në detyrë me orare të reduktuara.
“Është rritur siguria pa diskutim, por mbetet një problem natyrshëm, një problem në formën e një shqetësimi për prindërit sepse normal që çdo prind kur nis fëmijën në shkollë, qëndron me një farë meraku në tërësi, edhe kur ne ishim fëmijë dhe prindërit na çonin në shkollë dhe në një projekt që ne po e çojmë përpara dhe do të fillojmë ta jetësojmë vitin e ardhshëm, si një nga projektet madhore të Shqipërisë 2030 në aspektin e sigurisë, ku ne do të bëjmë një kapërcim epokal në monitorimin e sigurisë së rrugëve; në monitorimin e sigurisë së qyteteve; në monitorimin e sigurisë së hapësirave të mëdha publike, është përshirë edhe monitorimi i sigurisë në shkollë, por një monitorim që do të shkojë deri në qelizë, një monitorim që do t’i japë mundësi drejtuesve të shkollës, do t’i japë mundësi prindërve, do t’i japë mundësi edhe fëmijëve që të ndihen fare të qetë, por nga ana tjetër edhe që secili të bëjë detyrën e vet. Në sensin që nuk është thjesht një projekt sigurie për fenomenet kriminale apo për ndërhyrjet nga jashtë, por është një projekt sigurie kundër bullizimit, është një projekt sigurie kundër kopjeve dhe kundër braktisjes së orëve të mësimit, kundër kthimit të kurrizit të ndonjë mësuesi nga nxënësit e kështu me radhë”.