Ndërsa dalja nga Shqipëria e 816 ton mbetje të dyshuara të rrezikshme që kanë dalë nga kompania Kurum drejt Tajlandës, është kthyer në një shqetësim serioz ndërkombëtar, opozita në Shqipëri, me në krye Sali Berishën, reagimet ndaj kompanisë turke i kanë ‘me pikatore’.
Kompania Kurum International, e cila ka ardhur në Shqipëri që prej vitit 1998, ka pasur periudhën e saj më të suksesshme në vitet 2005-2013, kur qeveriste Sali Berisha. Vit pas viti në këtë periudhë Kurum ka rritur aktivitetin dhe fitimet. Kontratat koncesionare gjatë kësaj periudhe tregojnë se Kurum ka qenë e privilegjuar nga Sali Berisha.
Një kontratë e majmë ishte ajo e koncesionit të terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit, e firmosur në 2011 me Ministrinë e Transporteve dhe e kishte për 35 vite të drejtën e operimit. Kontrata u prish nga qeveria socialiste në vitin 2016 për mospërmbushjeve të kushteve nga ana e kompanisë turke, e konfirmuar kjo edhe nga një gjykatë arbitrazhi që i dha të drejtë qeverisë shqiptare.
Qeveria e Berishës dhe Metës në fillim të vitit 2013 por edhe në muaj në vijim, pak javë para se Partia Demokratike të ikte nga pushteti, miratoi për Kurum privatizimin e katër HEC-eve (Ulëz & Shkopet dhe Bistrica 1 & 2).
Në atë kohë, Partia Socialiste në opozitë, e denoncoi privatizimin si korruptiv dhe me një kosto prej 125 milionë eurosh për shqiptarët. Pavarësisht akuzave, nga Prokuroria nuk pati një hetim për privatizimin e pasurisë publike. Akti i fundit i qeverisë së Berishës për privatizimin e HEC-eve, mban datën 15 maj 2013, ndërkohë që zgjedhjet ishin më 23 qershor 2013. Për këto privatizime ka një padi në SPAK.
Por Berisha nuk u mjaftua me kaq. Po në ditët e fundit të pushtetit, ashtu si me shpejtësi, Qeveria e Sali Berishës i dha Kurumit një tjetër kontratë koncesionare. Kurum mori edhe 67 hektarë tokë publike në Spitallë të Durrësit, për të ndërtuar një park industrial. Për të zbatuar këtë kontratë që e kishte fituar në ditët e fundit të pushtetit të Berishës, Kurum, pronare e 52% të aksioneve ka krijuar së bashku me një tjetër kompani, Ylberi SHPK, subjektin DURRES LOGISTIC CENTER. Megjithatë Kurum ka dështuar dhe pas 5 vitesh, 26 shkurt 2018, ka pezulluar kompaninë.
Megjithatë nuk mbaron këtu. Në ditët e fundit si kryeministër, pasi i kishte humbur zgjedhjet, më 24 korrik 2013, Sali Berisha vendosi firmën e tij në kontratën, që ishte lidhur 2 ditë para mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Kurum, për dhënien me koncesion të rafinerisë së Cërrikut, një ngrehinë e kohës së komunizmit që pati pushuar së funksionuari që nga viti 1992.
Por ndryshe nga siç Berisha thoshte në atë kohë për shqiptarët se do të rimëkëmbej një strukturë e rëndësishme ekonomike, menjëherë sapo mori rafinerinë, kompania e re e krijuar për këtë qëllim, Albanian Oil Rafinery vendosi të shesë të gjithë strukturën për skrap te kompania mëmë, Kurum International. Rafineria rezulton se është çmontuar në tetor 2013, vetëm një muaj pasi Kurum e mori atë në dorëzim, për të mos i lënë kohë qeverisë së re socialiste, e cila kishte marrë pushtetin një muaj para, as të reagonte./ Shqiptarja.com