Ushtria dhe fabrikat ruse të armëve po marrin një numër gjithnjë në rritje punëtorësh ndërsa Moska përgatitet për një luftë të zgjatur në Ukrainë, duke lënë sektorë të shumtë me mungesa të konsiderueshme të fuqisë punëtore, duke çuar në këtë mënyrë në destabilizimin e ekonomisë.
“Tregu i punës është jashtëzakonisht i ngushtë,” tha kreu i një kompanie të madhe minerare ruse për Financial Times.
“Nuk është vetëm mobilizimi apo largimi i njerëzve nga Rusia. Problemi kryesor është prodhimi i armëve”, theksoi ai.
Mungesa e fuqisë punëtore ka ndihmuar në ekspozimin e dobësive në ekonominë ruse që kundërshtojnë imazhin rozë që Kremlini përpiqet të paraqesë.
Presidenti Vladimir Putin ka theksuar në mënyrë të përsëritur rritjen e PBB-së së Rusisë si dëshmi e mirëqënies ekonomike por edhe e dështimit qoftë të luftës apo sanksioneve perëndimore për të shkaktuar dëme serioze.
Krizë e rëndë
Por lufta e bën krizën e Rusisë veçanërisht serioze. Vitin e kaluar, 300,000 burra u thirrën për të luftuar pasi Ukraina parandaloi pjesërisht një pushtim rus. Qindra mijëra njerëz, shumica prej të cilëve të rinj të arsimuar, ikën jashtë shtetit për të shmangur rekrutimin.
Një lëvizje e tillë e ka goditur industrinë e IT-së dhe sektorë të tjerë që varen shumë nga fuqia e kualifikuar e punës. Vendimi i Moskës për ta vënë ekonominë në baza luftarake në pritje të një konflikti të zgjatur e ka përkeqësuar situatën, sipas ekonomistëve dhe biznesmenëve rusë, raporton abcnews.al.
Me kompanitë e mbrojtjes që punojnë jashtë orarit për të furnizuar forcat e armatosura, industritë civile po përpiqen të gjejnë punëtorë.
Papunësia është në nivelin më të ulët të 30 viteve
Punëtorët e industrisë së mbrojtjes mund të përjashtohen nga shërbimi ushtarak, gjë që i bën punët në kompani të tilla veçanërisht tërheqëse për burrat që duan të shmangin rekrutim.
Shkalla e papunësisë në Rusi ka rënë në 3%, niveli më i ulët në 30 vjet, duke i lënë bizneset të përpiqen të gjejnë punëtorë për industritë intensive të punës që dominojnë ekonominë e vendit.
Shkalla e saktë e rritjes së prodhimit të lidhur me luftën dhe punësimit në mbrojtje është e vështirë të vlerësohet nga të dhënat e disponueshme, por “ne kemi parë një rritje prej 30-40% në industritë e lidhura me mbrojtjen,” vuri në dukje Pavel Luzin, një bashkëpunëtor në Qendrën për Analizën e Politikave Europiane.
Muajin e kaluar, qeveria ruse tha se planifikon të shpenzojë 10.8 miliardë rubla (108 miliardë dollarë), ose rreth 6 për qind të PBB-së, për mbrojtjen vitin e ardhshëm, trefissh në krahasim me vitin 2021.
“Shpërthim” shpenzimesh
Shumë fabrika kanë filluar të funksionojnë në tre turne, që është një kujtim i epokës sovjetike.
“Tregu rus i punës dhe e gjithë ekonomia ka arritur kapacitetin e tij maksimal dhe thjesht nuk mund të prodhojë më shumë,” tha Enikolopov i UPF. Në rajonin e Nizhny Novgorod, për shembull, autoritetet po raportojnë një mungesë të paprecedentë të punës, sipas Kommersant.
Numri i të papunëve të regjistruar ra me 27% në shtator dhe ka 17,000 vende të lira pune në industrinë e prodhimit në rajon.
Nga këto, 7,500 janë në industritë e mbrojtjes, megjithëse kërkesa është në rritje, me 1,600 vende pune të shtuara vitin e fundit.
Raporti i Putinit
Vlen të përmendet se Putini e pranoi problemin këtë verë.
“Mungesa e fuqisë punëtore ka filluar të ketë njëfarë ndikimi në bizneset e vogla dhe të mesme,” tha ai gjatë një takimi me drejtuesit e prodhimit në Kremlin.
Në shtator, ministri i ekonomisë Maxim Resetnikov e quajti mungesën e fuqisë punëtore “rrezikun më të madh të brendshëm për ekonominë ruse”