Shtyhet seanca gjyqësore për Fredi Belerin. Ajo do të mbahet më datë 19 dhjetor, ora 14:30. Dëshmitari Abdyl Rama, vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë Arsen Rama që fundosi Belerin me akuzën për blerjen e votave nuk është paraqitur në seancë.
Fredi Beleri po ashtu refuzoi të flasë para gjykatës pasi tha se nuk ka besim te SPAK.
Kujtojmë që Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit.
“Do të dëshmoja po të kisha besim po në dosje ka dokumente të falsifikuara’- u shpreh Fredi Beleri.
Në seancë u lexuan dy dëshmi të Abdyl Ramës, vëllait të dëshmitarit, Arsen Rama. Dëshmia e parë ishte dhënë në prokurorinë e Vlorës, ditën e arrestimit dhe tjetra në qershor në SPAK. Dëshmitë u lexuan, pasi rezulton se me 22 korrik ishte larguar nga Shqipëria dhe nuk ishte futur më.
Ndërkohë ambasadorja greke Konstantina Kamitsi po ndjek nga afër çështjen. Seanca e kaluar u shty për shkak të mosgjetjes së dëshmitarit Avdyl Rama të kërkuar nga prokuroria dhe mbrojtja.
Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Vetë Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik.