Kryetari i Nismës Thurje, Endri Shabani, ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike të Sali Berishës, që shpesh e cilëson forcën politike që ai përfaqëson por edhe parti të tjera të reja opozitare si shtojca të Kryeministrit R ama.
Në një intervistë ekskluzive për TemA, Shabani i cilësoi akuzat e Berishës si pjesë të nje “skeme tipike” që përdoret nga lideri i PD-së për të ruajtur monopolin brenda opozitës.
“Kjo është skemë tipike. Pra, skema është me shkop, që ne të pranojmë karrotën. Thelbi është, hajdeni te ne, bëhuni pjesë e koalicionit, se ndryshe ne do ju sulmojmë. Edhe retorika e Berishës është, ne do bëjmë koalicion me ata që janë opozita e vërtetë. Pra, po u bashkuam me Berishën, ne jemi opozitë e vërtetë, po nuk u bashkuam me Berishën, ne jemi shtojcë e Ramës. Domethënë, kjo është e qartë. Kjo është loja. Kjo është loja që në 2021, që në 2023 dhe kjo do jetë sistematikisht loja. Pra, po ishe me mua, po pranove karrotën që të vish të futesh te lista e sigurtë e Sali Berishës, harrohen të gjitha. Po qëndrove larg, do të sulmojmë me çfarë instrumentash ne kemi për të të sulmuar, që të mos marrësh asnjë votë, sepse këta duan monopolin e opozitës. Kjo është skema”, tha ai.