Shtohen dyshimet për planin e arratisjes, Ilir Meta merr mbështetje nga besnikët e Gruevskit!

Shtohen akoma dhe më tej dyshimet se Meta ka pasur një plan arratisje në Hungari, aty ku ndodhet Gruevski…

Ilir Meta ka marrë mbështetje nga Nikola Gruevski për arrestimin që ju bë nga policia. Asnjë institucion ndërkombëtar nuk ka reaguar deri më sot, të vetmit që i kanë dalë në krah janë besnikët e Gruevskit në Maqedoninë e Veriut.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht numri dy i VMRO DPMNE-së Aleksandër Nikoloski në një intervistë për Alsat M, tha se ka parë pamjet e arrestimit të Metës dhe se një shtet demokratik nuk vepron në atë mënyrë me një ish-president. Ai tha se pamjet janë jo të denja për një vend demokratik, posaçërisht në Europë.
“Nuk mund të hyj në punët e brendshme të Shqipërisë, kjo është punë e institucioneve shqiptare. Por nëse dikush është i dyshuar, mund të ftohet. Pamjet që pamë në TV nuk ishin aspak të denja për një vend demokratik, posaçërisht në Europë”, tha Nikoloski.

Deklarata e tij shton akoma dhe më tej dyshimet se Meta ka pasur një plan arratisje në Hungari, aty ku dhe ndodhet Gruevski.
Ditën e arrestimit, Ilir Meta po kthehej nga një vizitë në Kosovë, vizitë në fakt shumë e mistershme. Vetë Meta në rrjetet sociale nuk ka njoftuar asnjë takim atje.

Në fakt janë mediat e Kosovës që raportojnë se ai është takuar me Menduh Thaçin, kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo është pranuar nga vetë Thaçi në një prononcim për “Indeks Online”. Pyetja që ngrihet është: Pse Meta do të takonte Menduh Thaçin në Kosovë dhe jo në Maqedoni apo në Shqipëri?

Sipas burimeve të “Pamfletit”, ka dyshime se Meta në fakt po mendonte të arratisej përmes Kosovës drejt Serbisë dhe më pas drejt Hungarisë, duke shkuar te miku i tij, Nikola Gruevski. Menduh Thaçi duket se ka shërbyer si urë lidhëse mes tyre, duke qenë se ai ka njohje, pasi partia e tij ka qenë dikur në koalicion me VMRO-DPMNE. Gruevski i ka dhënë garanci se do ta presë atje dhe do i garantonte përfitimin e azilit duke ndërhyrë tek autoritetet.

SPAK me ndihmën edhe të amerikanëve, është vënë në dijeni të skenarit dhe ka ndërhyrë me shpejtësi. Është bashkëpunuar me autoritet e Kosovës, te cilat nuk e kanë lënë që të largohet dhe ai është kthyer mbrapsht në Morinë. Mësohet se Forcat Operacionale e kanë ndjekur nga pas në çdo moment, duke survejuar çdo hap të tij.
Disa muaj më parë, Meta e përmendte shpesh Gruevskin. Ai pranonte se e kishte mik dhe i kishte sugjeruar të mos arratisej, por e gjitha ka qenë kamuflim. Madje, pak javë më parë Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në Maqedoni, ku është takuar me kreun e VMRO dhe disa zyrtarë të tjerë. /Pamfleti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com