“Trafikimi i qenieve njerëzore është një histori e përsëritur. Nuk kemi ende arritur të shkëpusim zinxhirët për t’u dhënë liri këtyre viktimave”.
Nga “shtëpitë e barit”, te shpërndarja e lëndëve narkotike, prostitucioni e lypja… djem e vajza shqiptare ende shfrytëzohen për qëllime seksuale, kriminale dhe ekonomike.
Sam Golbart, nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, u shpreh: “Trafikimi i qenieve njerëzore shfaqet në forma të ndryshme. Te gratë e vajzat merr formën e trafikimit të tyre për shfrytëzim seksual. Nga ata tjetër, te djemtë, kryesisht te ata të rinj, shfaqet në formën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe jo vetëm. Të rinjtë ikin jashtë Shqipërisë dhe përfundojnë në aktivitete të paligjshme atje”.
Shtatëdhjetë prindër e kujdestarë u proceduan penalisht vitin e shkuar me akuzën e braktisjes së fëmijëve të mitur. Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se në raport me 2022-shin, fenomeni u zgjerua me 11%.
Alma Tandili, Drejtoreshë e ASHMDF, theksoi: “Ne vetëm për vitin 2023 kemi pasur 2 500 fëmijë. Përfshirë këtu fëmijët e trafikuar, shfrytëzuar dhe kështu me radhë, kemi pasur 9 procedime penale gjatë vitit të shkuar. Kjo ndaj prindërve apo kujdestarëve që kanë tentuar të çojnë fëmijët e tyre drejt vendeve të BE-së”.
Por, “rruga e ëndrrave për lek të shpejtë” po josh më shumë se përpjekjet e institucioneve për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore. Eljona Elmazi, Drejtor Ekzekutiv i World Vision Albania, deklaron: “Shqipëria, si nga ana e kuadrit ligjor, ashtu edhe te përpjekjet për parandalimin e trafikimit njerëzor, ka bërë shumë përpjekje. Por, nga ana tjetër, po aq është zhvilluar në mënyrë dinake edhe trafikimi modern i qenieve njerëzore”.
Për t’i dhënë zë nevojës për të rritur përpjekjet ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, World Vision Albania bashkë me Ambasadën Britanike në Shqipëri çelën një ekspozitë me piktura e vizatime të të rinjve. Nismës iu bashkuan më shumë se 114 të rinj, tre prej të cilëve u vlerësuan edhe me çmime.
A2news /a.r