Serbia ble në ankand pikturën “Luftëtari shqiptar”! Ishte kjo ajo që transmetuan shumë media gjatë kësaj jave, pa shkuar përtej se çfarë ishte kjo pikturë, ky piktor, apo ky interes i shtuar nga Serbia, e cila “rrëmben gjërat tona”. Pyetjes se pse nuk e bleu Shqipëria, ish-drejtuesi i Hipotekës Aratan Lame i dha përgjigje në mënyrë cinike, duke u shprehur se shqiptarët, intelektualët, opinioni publik (ai që bën zap dhe frikëson qeverinë, sipas tij) nuk reaguan.
“…qeverinë nuk e shqetësoi kush, sepse shoqëria civile nuk është më as shoqëri e ca më pak civile, oligarkët nuk dolën nga kazionoja; bankat vijuan të bëjnë pará me paratë tona; dhe shqiptarët vazhduan punët e tyre të shqetësuara deri në momentin kur pikturën e blenë serbët e poshtër. Pastaj? Pastaj serbët vazhduan punët e tyre, ndërsa shqiptarët zunë kafenetë për të pritur armikun e radhës”, ishte mbyllja e komentit të Lames në Facebook.
E vërteta është që qeveria shqiptare nuk ka interesa të tilla, pasi në të kundërt do ta kishte shprehur edhe në piktura të tjera të këtij piktori ku shfaq shpesh figurën e shqiptarit. Dhe kjo deri diku është e kuptueshme, sepse që lisi t’iu bëjë hije pemëve të tjera, si fillim duhet të forcohet e t’i bëjë hije vetes. Kështu që edhe Shqipëria, duhet të mbrojë fillimisht gjërat, vlerat, trashëgiminë e saj, para se të vrapojë drejt atyre që evidentohen nga të huajt.
Çfarë rëndësie ka kjo pikturë për Serbinë?
Piktura u shfaq para më shumë se një muaji në Sotheby’s, shtëpia luksoze e ankandeve në Londër. E punuar vaj në pëlhurë, me përmasa 68 me 60,5 centimetra me kornizë dhe 41 me 32,5 centimetra pa kornizë, vlera fillestare e pikturës u vlerësua nga 70,000 deri në 100,000 paund (pothuajse 115,000 euro).
Ajo u ble për 240 mijë paund (275 mijë euro) nga Muzeu i Beogradit, i cili mban trashëgiminë e piktorit Paja Jovanoviç. Sipas mediave serbe, blerja e saj nuk do të ishte bërë e mundur, nëse muzeu nuk do të kishte “mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Kulturës”.
Ka një detaj mjaft interesant për këtë piktor, pasi në vitin 2018, ai u bë autori i pikturës me të shtrenjtë të shitur nga një piktor me këtë kombësi, të quajtur “Dy bashibozukë përballë portës”. Për ironi të fatit, piktura që kapi vlerën e më shumë se gjysme milioni, paraqet dy luftëtarë, kostumet e të cilëve kanë elemntë kombëtarë.
“Pushimi i Bashibozukut” (bazhibozuk- ushtar i trupave ndihmëse të parregullta në Perandorinë Osmane, shpesh ka konotacion negativ), emri me të cilin piktura është paraqitur në ankand, nuk ka qenë kurrë në Serbi, pavarësisht se mediat serbe e cilësuan si kthim në shtëpi. Sa i përket origjinës së saj, në katalogun e Muzeut Kombëtar të Beogradit, thuhet se ajo ka qenë në Londër dhe Neë York. Blerja e saj, justifikohet me interesin e shtuar, kur një vepër e artistit të njohur ofrohet nga shtëpitë e ankandeve të ngjall interes dhe të ngre pyetje të caktuara.
“Çdo institucion muzeor ka një politikë të përcaktuar blerjeje sipas së cilës blen, pranon dhurata ose mbledh falë kërkimeve arkeologjike. Pikërisht falë politikës së qartë të zhvillimit të koleksioneve muzeale, është e mundur të përmirësohen si koleksionet muzeale ashtu edhe të gjitha programet që muzetë zbatojnë me synimin e prezantimit të trashëgimisë kulturore”, thuhet në sqarimin e Muzeut.
Lidhja me Shqipërinë
Është pikërisht katalogu i Muzeut Kombëtar të Beogradit, i cili nxjerr në pah emrin dhe momentin e krijimit të saj. Madje thuhet gjithashtu se kjo vepër ka shumë të ngjarë të jetë krijuar kur piktori ka qenë duke qëndruar në afërsi të Shkodrës, ndërsa nga raportimet e shqiptarëve theksohet se piktori serb ka pasur miqësi me piktorin e njohur shqiptar, Kolë Idromeno.
“Një nga versionet e suksesshme të Jovanoviçit për lojën e një luftëtari tipik shqiptar të shekullit të 19-të, i cili në momente pushimi, çlodhet me çaj, kafe ose erën dehëse të nargjiles, para fushatave të ardhshme. Fizionomi mahnitëse, tipare të mprehta të fytyrës, me kostume të pasura dhe me veshje të plota luftarake, me këllëf, dhe një pushkë tipike arnaute rašak – krdžalinka, ky luftëtar, ndoshta komandanti i një ushrie të vogël, mund të jetë pikturuar në mesin e viteve tetëdhjetë të shek. XIX, kur Jovanoviçi qëndronte në zonën e Shkodrës në veri të Shqipërisë”, shkruan historiani i artit dhe këshilltari muze i Muzeut Kombëtar në Beograd, Petar Petroviq, në botimin me titull “Paja Jovanović: Katalog sistemik i veprave”.
Nga ajo që shkruhet mbi jetën e piktorit, përtej dëshirës që nuk e dimë nëse ekzistonte, ishte detyrimi që e sillte në Ballkan. Pas studimeve në 1880, ai vuri re një interesim më të madh të Evropës për rajonin, prandaj pikturoi kryesisht skena nga jeta e shqiptarëve, malazezëve, hercegovinasve, të cilat i sollën një reputacion të madh. Kur galeristi i famshëm Henry Wallis nga Londra pa një nga veprat e tij, ia rekomandoi Galerisë Franceze dhe kjo i solli famë, para dhe ekspozitën e tij të parë personale në 1884 tek e njëjta galeri. Pas nënshkrimit të kontratës me galerinë franceze, piktori u detyrua të pikturonte jetën e përditshme të njerëzve nga Ballkani. Kështu krijohen skenat e tij më të gjalla të zhanrit, me përshkrime të njerëzve me kostume teksa kryejnë detyrat e tyre të përditshme. Kjo kërkonte shumë studim dhe përgatitje, ndaj puna e tij nuk bazohej vetëm në pikturë, por edhe në studimin etnologjik.
Mbi autorin
Paja Jovanoviç lindi në vitin 1859 në Vršac dhe vdiq në vitin 1957 në Vjenë. Ai ishte një nga piktorët më të mëdhenj serbë dhe një përfaqësues tipik i realizmit akademik. Prirja e tij drejt artit u zbulua për herë të parë nga mësuesi i kishës së Vrsac, i quajtur Aleksandar Tokin. Ishte ai që vendosi ta punësonte kur ishte vetëm 14 vjeç, për të zbukuruar kambanat e kishës, të porositura nga Bechau.
I inkurajuar nga suksesi dhe vëmendja që tërhoqi nga puna e tij, pas dy vitesh u regjistrua për pikturë në Akademinë e Vjenës. Duke u stërvitur me Karl Müller, orientalistin e njohur , ai fitoi edhe një dashuri për këtë drejtim, e cila do të shënojë punën e tij në të ardhmen. Qysh në vitin 1893 u shpall anëtar i Akademisë Mbretërore Serbe. Atij iu dha detyra të bënte kompozimet monumentale, historike.
Pas vitit 1905 iu përkushtua ekskluzivisht pikturimit të portreteve në stilin e realizmit akademik për klientelën e pasur dhe u bë shumë i famshëm falë tyre. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Shpërngulja e serbëve”, “Lufta e gjelit”, “Mësimi i shpatarit” dhe “Kurorëzimi i perandorit Dushan”./Luiza Pinderi- Liberale.al