Shqiptarët paguajnë nga taksat, për një shërbim që s’do të kenë kurrë akses

Klodian Tomorri

Qeveria shpalli sot fazën e dytë të tenderit për ndërtimin e ujësjellësit Draleos Drimadhes, i cili do të furnizojë me ujë resortet e investitorëve strategjikë, ku të pasurit kanë vilat e tyre të treta, të katërta e kështu me radhë.

Faza e dytë do të kushtojë 3.5 milionë euro. Bashkë me 7.5 milionë eurot e fazës së parë në total janë 11 milionë euro, të cilat do të paguhen nga paratë e qytetarëve.

Fituesi i tenderit të fazës së parë ishte kompania “Gjikuria”. Pra një strategjik për të furnizuar me ujë strategjikët. Fituesi i fazës së dytë me shumë gjasa do të jetë sërish “Gjikuria”. Strategjikët nuk e lëshojnë paranë jashtë rrethit të tyre. Por kjo është më e vogla.

Qytetarët shqiptarë do të paguajnë 11 milionë euro për një shërbim, ku nuk do të kenë kurrë akses. Pasi resortet e strategjikëve janë ambient ekskluziv vetëm i të pasurve. Por ky është vetëm një rast.

Infrastruktura në funksionin ekskluziv të investimeve strategjike po u kushton shqiptarëve qindra milionë euro nga taksat e tyre. Dhe ndërsa paratë vërshojne lumë për të ndërtuar rehatinë e të pasurve, përfitimet që qytetarët marrin mbeten me pikëpyetje.

Shumica e investimeve strategjike nuk paguajnë asnjë taksë. Kur ndonjëri prej tyre ndërton hotele, ato janë të përjashtuara nga tatimi mbi fitimin për 10 vjet, nuk paguajnë taksë ndikimi në infrastrukturë, trajtohen me tvsh të privilegjuar 6 për qind dhe marrin tokën shtetërore falas një me një euro.

Të vetmet përfitime publike janë hapja e vendeve të punës për kamerieret dhe taksat që buxheti mbledh nga taksimi i punonjësve. Por për resortet e Jugut do të duhen vite e vite të tëra që të mblidhen qindra milionë eurot, të cilët qytetarët po paguajnë për infrastrukturën e tyre në rrugë, ujësjellesa dhe rrjete elektrike.

Ky është “Noc Rroku” strategjik që qeveria po i servir publikut. Ndaj sa herë që qeveria trumbeton një investim të ri strategjik, qoftë edhe me shifra pompoze prej miliarda eurosh, qytetarët kanë për të parë vetëm faturën. Radhën e ka Sazani tani./Kapitali.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com