Një çift brazilianësh të cilët u aksidentuan korrikun e këtij viti në kanalin e Vivarit, pranë Butrintit kanë bërë një apel prekës ku kërkojnë personat që iu shpëtuan jetën.
Ditën që ndodhi aksidenti dhe makina e çiftit përfundoi në kanal, kanë qenë disa shqiptarë, të cilët iu kanë dhënë ndihmën e parë duke i shpëtuar dhe nga rreziku për jetën.
Çifti, i përfshirë në këtë aksident të tmerrshëm me makinë, tregojnë se ishin pranë vdekjes, por shpëtuan falë ndërhyrjes së menjëhershme të këtyre personave, që nuk e menduan dy herë për t’i ndihmuar.
Gruaja, 34-vjeçare që tashmë është në gjendje më të stabilizuar, tregon se falë atyre personave ajo dhe partneri i saj janë ende gjallë. Ajo shprehet me emocion:
“Unë dhe i dashuri im u aksidentuam në kanalin e Butrintit më 31 korrik dhe po kërkojmë njerëzit që na shpëtuan jetën, ata që na nxorën nga makina dhe infermieren që na dha ndihmën e parë. Ne pothuajse humbëm jetën dhe me të vërtetë duam të njohim ata që na shpëtuan”.
Situata ishte kritike për partnerin e saj 53-vjeçar, i cili ndodhej në gjendje të rënduar, por falë ndërhyrjes së guximshme të shpëtimtarëve të panjohur, ai arriti të mbijetojë. Çifti u transportua menjëherë drejt Tiranës për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Tani, në fazën e rikuperimit të tyre, çifti brazilian të cilët janë shumë mirënjohës, dëshirojnë me çdo kusht të gjejnë njerëzit që u dolën në ndihmë në ato momente të vështira. Ata janë të bindur se veprimi i shpejtë dhe guximtar i këtyre personave u ka shpëtuar jetën.
Aksidenti i frikshëm ndodhi më 31 korrik 2024 në afërsi të fshatit Vrinë, ku çifti po ushëtonte nga Greqia ndërsa humbën kontrollin e automjetit dhe përfunduan në kanal.
Fatmirësisht, personat që ndodheshin aty pranë të cilët operojnë lundrën u hodhën menjëherë në ujë nxorrën çiftin e turistëve nga kanali. Më pas në vendngjarje mbërriti infermierja e zonës, e cila iu dha ndihmën e parë.
/a.r