Në Shqipëri qeveria po rrit pagat e Administratës Publike, pavarësisht kritereve të përzgjedhjes, performancës dhe dyshimeve për nivelin e lartë të korrupsionit në sektorë të ndryshëm.
Ndërkohë, Qeveria e Malit të Zi, ka propozuar rritjen e pensionit minimal në 450 euro nga 1 janari 2024.
Mediat nga Mali i Zi shkruajnë se qeveria ka propozuar amandamentimin e ligjit për rritjen e pensionit minimal, që njëherit, prej kohësh është folur dhe do të vendoset që ai të jetë 450 euro.
Diferenca mes pensionit mesatar dhe pagës mesatare, e njohur si shkalla e zëvendësimit, po përkeqësohet vit pas viti. Në vitin 2018, pensioni mesatar ishte sa 31% e pagës mesatare bruto, ndërsa në 6-mujorin e parë 2023, ky raport arriti në 25%. Në janar-qershor 2023, paga mesatare bruto arriti në 67,805 lekë, ndërsa pensioni mesatar, 17,306 lekë.
Në gjysmën e parë të vitit 2023, pagat u rritën me mbi 9% në krahasim me fundin e vitit 2022, ndërsa pensionet mbetën në vendnumëro. Në anën tjetër, çmimet e ushqimeve u rritën me mbi 10%, ritme dy herë më të larta se inflacioni në pjesën e parë të vitit.
Në hije të kurbës së lartë të çmimeve, pensionet e reja vit pas viti po rezultojnë më të ulëta se pensioni mesatar, pasi personat që mbushin moshën nuk plotësojnë kriteret për pagesa të plota. Pensionet e reja që u lidhën këtë vit ishin mesatarisht 15,325 lekë, shumë kjo 11% më e ulët se pensioni mesatar.
Tani pensionet e reja përfaqësohen nga persona që kanë punuar më së shumti pas viteve 1990 dhe shumica e tyre nuk kanë paguar sigurime. Pjesa më e madhe e atyre që dolën në pension këtë vit morën pagesa të pjesshme. Të dhënat zyrtare tregojnë se në gjysmën e parë të vitit aktual, 491,504 persona morën pensione pleqërie, nga të cilët rreth 50% morën pagesa jo të plota.
Përqindja e personave që nuk plotësojnë kriteret për pagesë të plotë po rritet me shpejtësi nga viti në vit. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se, në vitin 2022 pensionistët me pagesë të pjesshme përbënë 48% të totalit të personave që përfitojnë pension pleqërie nga 45% më 2021.
Edhe Kosova me pensione më të ulëta dhe me më pak përdorues të pensioneve. Në Kosovë rreth 121 mijë qytetarë të moshës mbi 65-vjeç janë në listat që paguhen për pensionet bazike ndërsa numri i pensionistëve kontribut-pagues është rreth 43 mijë. Në total janë rreth 165 mijë përfitues të pensioneve në Kosovë.