Shqipëria në arenën ndërkombëtare/ Nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian te modernizmi i shërbimeve konsullore, çfarë pritet të ndodhë në 2025

Buxheti prej 3.8 miliardë lekësh për Shërbimin e Jashtëm në 2025, do të përdoret më së për krijimin e partneriteteve të reja, forcuar diplomacinë ekonomike, promovuar investimet dhe mundësitë e bashkëpunimit. Avancimi i procesit të negociatave me Bashkimin Evropian, do të jetë ndër objektivat kryesorë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në një takim me mediat, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, është shprehur se mbajta e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë vitin e ardhshëm, do të forcojë më tepër pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Organizimi i Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë në maj 2025 do jetë një ngjarje e rëndësishme që do theksojë edhe një herë rolin e Shqipërisë në proceset politike dhe diplomatike të kontinentit europian, si një aktor aktiv dhe të përgjegjshëm në politikën ndërkombëtare. Ky samit, i cili do të mbahet për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, simbolizon një hap të madh për imazhin që ka krijuar vendi ynë dhe integrimin e mëtejshëm në strukturat europiane.”

Ndërkohë, një fokus i veçantë do t’i jepet edhe modernizimit të mëtejshëm të shërbimeve konsullore.

“Një aspekt i rëndësishëm i modernizimit të shërbimeve konsullore është modernizimi i shërbimit konsullor online (SHKO) dhe sistemit të eVisa, për të cilat punohet në vazhdimësi. Kjo iniciativë ka për qëllim lehtësimin dhe rritjen e efikasitetit të ofrimit të shërbimeve online për qytetarët shqiptarë dhe atyre të huaj që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë, duke iu dhënë mundësi për aksesim të shpejtë e pa pengesa si për shërbimet konsullore ashtu edhe për aplikimet për viza. Një arritje tjetër që presim që nga java tjetër është redukimi i kohës nga 6 javë në 2 javë për pajisjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit me dokumente identifikimi biometrike, duke e bërë këtë proces më të shpejtë dhe më efikas.”

Gjatë 2025, pritet të hapen edhe ambasada të reja në Bosnje-Hercegovinë, Indonezi dhe Kenia, ndërsa në Shqipëri do të hapen dy zyra ndërkombëtare të Bankës Evropiane të Investimeve dhe Organizatës për Zhvillim Industrial të Kombeve të Bashkuara (UNIDO).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com