Gjermania i frikësohet një Rusie agresive dhe si rrjedhojë kërkon me ngulm vendosjen e sisteme të armëve me rreze të gjatë veprimi në tokën e saj. Alarmin e ka ngritur ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock. Me anë të një mesazhi Ministrja e Jashtme e Gjermanisë ka paralajmëruar se “shpresa” për ruajtjen e paqes nuk është e mjaftueshme dhe vendi duhet të vendosë sisteme të armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi në tokën e tij për t’u mbrojtur kundër Rusisë.
“Ajo që na mbron tani është se ne investojmë në sigurinë dhe forcën tone. Dhe kjo përfshin vendimin për vendosjen e sistemeve amerikane të armëve me rreze të gjatë. Sepse ne kemi nevojë për një pengesë të besueshme. Një pengesë që mbron gjithashtu polakët, shtetet baltike dhe finlandezët – partnerët tanë që kufizohen drejtpërdrejt me Rusinë”, u shpreh Annalena Baerbock, Ministrja e Jashtme e Gjermanisë.
Baerbock, pjesë e koalicionit të drejtuar nga Kancelari Olaf Scholz, argumentoi se forcat e armatosura të Ukrainës, me mbështetjen perëndimore, “po mbrojnë me guxim vendin e tyre. Ajo akuzoi Putinin për sulme “hibride” destabilizuese, duke përfshirë sabotimin, ndaj vendeve fqinje.
“Rusia është përgatitur për këtë luftë për një kohë të gjatë. Për vite me radhë ajo ka prishur traktatet e mëparshme dhe më pas ka përfunduar traktatet e çarmatimit. Ajo ka zhvilluar armë të ndaluara që mund të pajisen me armë bërthamore. Dhe i ka vendosur në Kaliningrad, më pak se 600 km larg Berlinit. Rusia e Putinit filloi luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945. Të bësh politikë të jashtme sot do të thotë të pranosh se parimi i shpresës nuk do të na mbrojë nga Rusia e Putinit”, tha Annalena Baerbock, Ministrja e Jashtme e Gjermanisë.
Gjermania është dakordësuar me Shtetet e Bashkuara për të vendosur raketa të reja amerikane, të cilat janë të afta të godasin në një rreze prej 2 mijë e 750 km me shpejtësi disa herë më të larta se zëri, duke e pasur Moskën në një shënjestër të drejtpërdrejtë.
/a.r