Ngjarja e së Premtes së shkuar, padyshim i la të gjithë në shok, për dinamikën dhe llojin e krimit. 3 fëmijë u bënë bashkë për të vrarë babain e tyre, 50 vjeçarin Pëllumb Meta.
Pikëpyetjet janë ende të mëdha, për rolin e secilit në këtë ngjarje, por edhe motivin.
Zakonisht dëgjojmë fjalë të mira për një njeri pas vdekjes, e të tilla janë edhe ato të fqinjëve të viktimës. Në një lidhje direkte për gazetarin Besard Jacaj, korrespondentja e Klan News në Durrës Enkeleda Arapi citoi disa nga deklaratat e tyre.
Një njeri shumë i dhënë pas familjes, punëtor dhe që kishte dhënë kontribut të madh për t’u siguruar jetësen familjarëve. Kështu e kujtojnë ata Pëllumbin.
“Thonë që e shoqëronte çdo ditë vajzën e tij për në shkollë në Durrës dhe më pas nisej për Tiranë me autobusët e linjës. Kishte ndihmuar nga ana financiare të birin që të emigronte në Itali e më pas në Angli. Të paktën fqinjët nuk kanë dëgjuar se ai ishte posesiv ose agresiv në familje dhe kurrsesi nuk kanë parë ndonjë debat në ambientet e jashtme të shtëpisë. Përkundrazi deklarojnë se i kanë parë të shoqërueshëm me njëri-tjetrin në daljet e tyre. Edhe vetë bashkëshortja e Pëllumb Metës jepte leksione të Anglishtes në shtëpi, për persona të interesuar”, raportoi Arapi.