Në fundvit duket se shoferët e automjeteve janë treguar më të kujdesshme teksa udhëtojnë duke shmangur kështu aksidentet dhe ulur numrin e tyre. Instituti i Statistikave raporton se për muajin nëntor numri i aksidenteve ra në 147 nga 167 të shënuara një vit më parë.
Aksidentet më së shumti kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit kryesisht të meshkujve, që ka ndikuar në rritjen e rasteve por dhe shtimit të plagosjeve dhe vdekjeve. 133 aksidentet kanë ndodhur si pasojë e shoferëve që kanë çuar në 174 plagosje dhe vdekje në nëntor.
Është grup-mosha 25-34 vjeç e cila ka “përgjakur” më shumë rrugët e Shqipërisë duke shkaktuar dhe numrin më të lartë të aksidenteve, në 26,5 % të totalit.
Kjo grupmoshë ndërvite rezulton si më problematikja. Por duke nisur nga 2025 do të ndryshojë edhe rregullorja për shoferët problematikë duke ndikuar në siguracionin e makinës. Të gjithë ata drejtues mjetesh që kanë shkaktuar aksidente do kenë siguracion më të lartë, ndërsa për të caktuar vlerën e sigurimit do të merren në konsideratë edhe vjetërsia e makinës e deri tek eksperienca e shoferit.
Më shumë aksidente kanë ndodhur ditën e mërkurë në oraret e pasdites ku dhe lëvizjet e qytetarëve pas mbarimit të orarit të punës lëvizin më shumë me mjetet e tyre.
Tirana mbizotëron në numrin e aksidenteve pasuar nga Lezha e Durrësi. Ndërsa më pak aksidente janë regjistruar në Kukës e Korçë.