Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, teksa një shqiptar 22-vjeçar që drejtonte makinën humbi kontrollin, doli nga rruga dhe shkaktoi tragjedinë familjare.
Gruaja e tij, 24-vjeçarja Mariagrazia Bedin, humbi jetën në aksident, kurse djali i mitur u plagos rëndë dhe po trajtohet me kujdes mjekësor në spital.
Aksidenti ndodhi ditën e djeshme (31 Gusht) në zonën e Fondi, në Latina, rajoni i Romës, teksa Policia arrestoi mëngjesin e sotëm shoferin shqiptar Ali Hoxha, pasi nga testi që u krye rezultoi nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike.
“Corriere” raporton se: “Aksidenti është shkaktuar nga drejtimi i pakujdesshëm i shoqëruesit të tij 22-vjeçar, Ali Hoxha, i cili rezultoi pozitiv në analizat e mëpasshme për zbulimin e pranisë së alkoolit dhe drogës në gjakun e tij”.
Djali disa muajsh i çiftit gjithashtu u plagos rëndë dhe u shtrua në spital për vëzhgim në spitalin Bambino Gesù, në Romë.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Sant’Anastasia, pas mesnatës së premte, duke zbardhur e shtuna (31 gusht) , kur vetura “Golf” e drejtuar nga i riu është përmbysur për shkak të shpejtësisë së tepërt. Në makinë ndodhej edhe partnerja e tij 24-vjeçare, djali i tyre pak muajsh, së bashku me motrën e shoferit.
“Makina u përmbys disa herë, duke shkaktuar plagosjen fatale të nënës së re të Sabaudias (emri i fëmijës), e cila vdiq në çast – dhe i shkaktoi disa trauma të porsalindurit”, raporton media.
Dy pasagjerët e tjerë nuk janë në rrezik, por motër dhe vëlla janë të dy të shtruar në spitalin Dono Svizzero, në Formia. Shqiptari ndodhet nën arrest në gjendje spitalore dhe pret hetimet e mëtejshme.