Vijon operacioni “Tempulli 2”. Në Tiranë janë vënë në pranga 4 persona ndërsa janë proceduar penalisht 2 të tjerë pasi dyshohen se shisnin lëndë narkotike.
Sipas policisë, shitja e drogës ndodhte në afërsi të një shkolle në rrugën “Ismail Qemali” si dhe në zonën e “Don Boskos”.
“Si rezultat i kontrolleve të ushtruara: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në afërsi të një shkolle në rrugën “Ismail Qemali”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 21 vjeç, dhe S. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu proceduan penalisht shtetasit H. P., 21 vjeç, dhe R. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shisnin në afërsi të një shkolle, në rrugën “Ismail Qemali”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në “Don Bosko”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit O. Sh., 30 vjeç, dhe M. H., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shisnin në zonën “Don Bosko””, njoftoi policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza me kanabis gati për shitje si dhe shumë parash të përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm. Po ashtu, janë sekuestruar edhe dy grirëse që përdoreshin për ndarjen e lëndës narkotike.
/a.r