SHIFRA E DITËS: Tre të katërtat e gjermanëve injorojnë luftën Izrael-Hamas, si po ndryshon opinioni publik botëror për L

Lufta dhe  gjakderdhja midis izraelitëve dhe palestinezëve e ka ndarë prej kohësh botën, duke i nxjerrë shpesh njerëzit në rrugë në protesta madje edhe duke përçarë komunitetin ndërkombëtar.

Sulmi i udhëhequr nga Hamas-i i 7 tetorit, dhe fushata gjashtë-javore e Izraelit për hakmarrje në Gaza, ka polarizuar më tej pikëpamjet e opinionit publik botëror, teksa afrohen skena tronditëse nga Izraeli dhe Gaza, të cilat vazhdojnë të dominojnë lajmet dhe mediat sociale në mbarë botën.

Megjithatë, evolucioni i opinionit publik që nga lufta mbetet larg të qenit i parashikueshëm apo i drejtpërdrejtë. Nga SHBA-ja në Evropë, ka pasur ndryshime të rëndësishme në politikat kombëtare.

Ndërsa konflikti izraelito-palestinez mbetet një çështje që përçan politikën për dekada, në muajt e  fundit para 7 tetorit përgjigja më shpeshtë në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore ishte apatia.

Më shumë se tre të katërtat e gjermanëve thanë se konflikti ka pak rëndësi për ta. Edhe në SHBA, 55 për qind e të anketuarve thanë se nuk ishin të interesuar për këtë çështje. Tradicionalisht publiku amerikan ka treguar mbështetjen më të fortë për Izraelin, ndërsa ndër vendet evropiane Spanja mbetet një ndër ato që përkrah palestinezët.

Megjithatë, edhe para 7 tetorit, kishte një prirje të theksuar në SHBA, me pasoja potencialisht të rëndësishme politike: demokratët filluan të lëviznin drejt kauzës palestineze. Edhe pse qytetarët amerikanë mbeten në ekuilibër më simpatikë ndaj Izraelit, në mars anketuesit e  Gallup regjistruan një rezultat neto nga demokratët, që për herë të parë, dolën në favor të palestinezëve.

Që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, sondazhet e SHBA-së kanë nxjerrë po ashtu në pah dallime të rëndësishme të gjeneratave dhe të vetë politikës mbi konfliktin. Rritja e kohëve të fundit në simpatinë pro-palestineze midis demokratëve vazhdon: rreth 25 për qind e atyre që votuan për Presidentin Joe Biden identifikohen si pro-izraelitë, kurse 20 për qind që mbështesin palestinezët. Nga ana tjetër, 76 për qind e votuesve të Donald Trump janë pro-izraelitë.

Ky ndryshim ka bërë që Biden të përballet për momentin me një përçarje të papritur brenda partisë së tij, për Lindjen e Mesme, ndërsa Presidenti aktual i SHBA-ve po shkon drejt një fushate të ashpër rizgjedhjeje, që ka të ngjarë të jetë sërish kundër ish-presidentit Donald Trump.

Tjetër faktor i rëndësishëm është mosha. Midis amerikanëve të rinj ka më shumë mbështetje të drejtpërdrejtë për palestinezët sesa për Izraelin. Ndërkohë, në mesin e atyre mbi 65 vjeç, mbështetja është 65 për qind për Izraelin ose më shumë se 10 herë më e madhe se përqindja pro-palestinezëve.

Një zhvillim i rëndësishëm për politikën amerikane ka qenë edhe evoluimi i pikëpamjeve që nga fillimi i fushatës ushtarake të Izraelit kundër Hamasit në Gaza, e cila ka rrethuar enklavën dhe ka detyruar qindra mijëra qytetarë të largohen nga shtëpitë e tyre duke shkaktuar një krizë të rëndë humanitare.

Një sondazh i Ipsos në mesin e muajit nëntor zbuloi se shumica e amerikanëve besojnë se SHBA duhet të veprojë si një ndërmjetës neutral. Ndërsa shumica ranë dakord se Izraeli “po bën atë që çdo vend do të bënte në përgjigje të një sulmi terrorist”, dy në tre qytetarë amerikanë të anketuar thanë se shteti hebre duhet të shpallë armëpushim si dhe të negociojë për kthimin e pengjeve.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se amerikanët mbetën të ndarë në mënyrë të barabartë nëse “përgjigja e Izraelit ndaj sulmeve të fundit ka qenë e tepruar” – sepse 50 për qind ranë dakord dhe 50 për qind jo. Megjithatë, mes demokratëve 62 për qind pajtoheshin me reagimin e izraelitëve kundrejt 30 për qind të republikanëve.

Demokratët progresivë më të rinj në moshë dhe më të majtë kanë qenë akoma më kritikë ndaj trajtimit të luftës nga Biden, duke thënë se mbështetja e tij për përgjigjen e Izraelit nuk ishte mjaftueshëm e kushtëzuar dhe se ai duhet të kishte bërë më shumë për të parandaluar vrasjet e civilëve nga radhët e palestinezëve.

Mbretëria e Bashkuar paraqet modele të ngjashme me SHBA-në, si në pikëpamjet politike ashtu edhe te grupmoshat, kurse ndarja midis brezave është më pak e theksuar. Megjithëse njerëzit e moshës 18-24 vjeç kishin tre herë më shumë gjasa të simpatizonin më shumë palestinezët sesa ata mbi 65-vjeç. Të dy grupet kishin rreth të njëjtën përqindje që i mbështetën të dyja vendet në mënyrë të barabartë ose deklaruan se ishin të pavendosur.

Politikisht, votuesit laburistë priren të mbështesin Palestinën (31 për qind) dhe votuesit konservatorë simpatizojnë më shumë Izraelin (34 për qind). Por një pjesë e konsiderueshme e njerëzve në të gjithë spektrin politik simpatizojnë të dyja palët, në mënyrë të barabartë ose janë të pasigurt. Shifra më e habitshme rezultoi në mesin e votuesve Liberal Demokratë, ku 50 për qind simpatizojnë të dy palët.

Shumëçka mund të ndryshojë ndërsa lufta vazhdon. Aktualisht, veçanërisht brenda SHBA-së, opinioni publik për Izraelin ka filluar të lëvizë aq sa mund të formësojë një politikë ndoshta më të ndryshme dhe të re, në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, gjatë viteve në vijim.

Marrë nga Financial Times me titull në origjinal: Si ka ndryshuar opinioni publik për luftën Izrael-Hamas (ttps://www.ft.com/content/6bf4f6ed-b705-4e66-ac6f-59b5ef6c0c77?fbclid=IwAR1eGYYJkDfhOxbpmov6PF8SH3b1kPnIEQ4H7pJdHuEIN_S0Ny68yxU5HSo)

Përgatiti: a.m/Liberale.al/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com