SHIFRA E DITËS: Shqipëria në pritje të pagës 900 euro. Ja cilat janë 10 vendet europiane që ofrojnë pagat më të larta

Cilido qoftë profesioni juaj, duhet të siguroheni që paga që prisni të fitoni nëse vendosni të largoheni jashtë vendit do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet tuaja të jetesës. Ndërsa qeveria premton se paga mesatare në Shqipëri në vitin 2024 do të shkojë në rreth 900 Euro, në sektorin publik, kjo rritje me gjasë ka si qëllim për të dekurajuar ata të cilët synojnë të largohen në një nga vendet e BE-së. Megjithatë, vështirë të thuhet që rritja e pagave do të ketë të njëjtin ndikim në rritjen e standartit të jetesës, për shkak të rrezikut të inflacionit, sikurse edhe mundësisë së thellimit të pabarazive.

Sipas vlerësimit më të fundit të INSTAT, paga mesatare në Shqipëri ka shkuar në 665 euro. Gjithsesi me pagën mesatare 900 euro Shqipëria pritet të mos jetë më në rajon, të paktën vendi me pagat më të ulëta në vlerë nominale.
Por, cilat janë 10 vendet kryesore evropiane me pagat më të larta në Europë?
Sipas hulumtimeve të fundit, 10 vendet më të mira evropiane që afrojnë pagat më të larta mesatare për të punësuarit në vitin 2023 janë edhe ndër vendet me standartin më të lartë të jetesës, në perëndim.
“Top 10 vendet” evropiane me pagat më të larta për vitin 2023: Zvicra, Luksemburgu, Lihtenshtajni, Danimarka, Islanda, Norvegjia, Holanda, Gjermania, Belgjika dhe Austria.

Zvicra

Zvicra është e njohur për pagat e larta, standardin e lartë të jetesës dhe ekonominë e saj në lulëzim. Megjithëse kostoja e jetesës është e shtrenjtë, pagat që profesionistët apo punëtorët fitojnë në këtë kompenson gjithçka.
Ka shumë konkurrencë për punë në sektorin financiar zviceran dhe industri si banka, elektronikë, produkte luksoze, prodhim orësh, udhëtime apo edhe në prodhim çokollatash. Paga mesatare për punonjësit me kohë të plotë në Zvicër është 6712 CHF ose 6,954 Euro në muaj.

Luksemburgu

Si një qendër e rëndësishme financiare, Luksemburgu gëzon reputacion për një standard të lartë jetese dhe paga tërheqëse, veçanërisht në industrinë bankare, telekomunikacionit, çelikut dhe financat.
Të ardhurat mesatare të larta janë rezultat i ekonomisë në lulëzim dhe popullsisë relativisht të vogël. Paga mesatare për punëtorët me kohë të plotë është rreth 4,018 euro në muaj. Ekonomia e fortë dhe avantazhet e vazhdueshme konkurruese e bëjnë Luksemburgun një lider global për pagat.

Lihtenshtajni

Një nga vendet evropiane me pagat më të larta është edhe Lihtenshtajni, i cili njihet për ekonominë e tij të zhvilluar dhe standardin e lartë të jetesës. Industria bankare është shtylla kurrizore e ekonomisë dhe një pikë krenarie kombëtare, ku edhe qeveria ka mirëpritur gjithmonë investimet e huaja. Paga mesatare në Lihtenshtajn për punëtorët me kohë të plotë është rreth 5,330 CHF, ose 5.550 Euro.

Danimarka

Në krahasim me vendet e tjera, Danimarka ka pabarazinë më të ulët mes punëtorëve. Vendi ka shumë punë të paguara mirë në industri të ndryshme, të tilla si pajisjet e transportit, kimikatet, peshku, prodhimet e detit, etj.
Paga mesatare që mund të fitohet pas diplomimit është rreth 17,000 DKK në muaj ose mesatarisht rreth 2.800 Euro në muaj. Danimarka gjithashtu bën shumë përpjekje për t’u siguruar që njerëzit e saj të kenë një arsim të mirë dhe të ndërtojnë një marrëdhënie të mirë mes punës dhe jetës. Kjo është ndoshta arsyeja pse punëtorët në Danimarkë janë më të lumturit në rang global.

Islanda

Sektori i prodhimit, veçanërisht eksportet, luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e larmishme të Islandës, e cila është e vogël, e hapur dhe e bazuar kryesisht në tregti. Ekonomia e Islandës bazohet në dy sektorë kryesorë ku edhe ka eksportet si të peshkut dhe turizmi.
Paga minimale për punëtorët me kohë të plotë është rreth 380,000 ISK në muaj, ose 2.480 Euro. Disa nga industritë kryesore ku kërkohet vazhdimisht fuqi punëtore përfshijnë turizmin, peshkimin dhe energjinë e rinovueshme.

Norvegjia

Norvegjia ka një standard të lartë jetese dhe mundësi pagesash të larta për qytetarët e saj. Përveç naftës dhe gazit natyror, produktet metalike janë eksporti më i rëndësishëm i Norvegjisë. Shumë norvegjezë sigurojnë jetesën e tyre duke prodhuar produkte nga çeliku dhe alumini, sepse prej tyre sigurohen të ardhurat më të larta nga eksporti.
Pas diplomimit, në Norvegji mund të fitohet një pagë mesatare prej 54,000 NOK, ose 4.500 Euro në muaj. Përveç kësaj, Norvegjia renditet lart në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor të OKB-së si një vend i dëshirueshëm. Për më tepër, vendi nordik ka një skemë të dhënies së vizave të punës në distancë, kështu që punëtorët në distancë mund të lëvizin akoma më lehtë.

Holanda

Në Holandë, paga mesatare mujore është 2,855 Euro. Mbi 90% e popullsisë në Holandë mund të komunikojë në anglisht. Kjo e bën më të lehtë për anglishtfolësit të përfitojnë nga potenciali i madh i fitimit në Holandë.
Cilësia e lartë e jetesës, e cila përfshin kujdes shëndetësor dhe arsim falas, e bën atë shumë tërheqës për njerëzit që kërkojnë të largohen nga vendet e tyre.

Gjermania

Gjermania ka ekonominë më të madhe të Evropës dhe është ndër vendet kryesore evropiane me pagat më të larta. Mund të fitohet një pagë mesatare prej 2,380 Euro si punëtor me kohë të plotë në muaj. Punët mjekësore, ligjore, korporative dhe teknologjike paguajnë kryesisht pagën më të lartë. Sistemi gjerman i trajnimit dhe tregu i punës janë mjaft konkurrues. Reputacioni i Gjermanisë si qendra kryesore e kërkimit dhe zhvillimit në Evropë do të thotë se vendi lider i kontinentit tonë shpesh konkurron për profesionistët më të mirë dhe më të zgjuar.

Belgjika

Cilësia e jetës dhe arsimimi në Belgjikë janë ndër më të mirat në botë dhe me një reputacion si një nga vendet më të mira evropiane e me pagat më të larta. Mbi gjysma e të gjitha profesioneve në Belgjikë janë në industrinë e shërbimeve dhe më shumë se një e katërta janë në prodhim, që të dyja paguhen relativisht mirë. Belgjika afron një pagë mesatare mujore prej 2,463 Euro si punëtor me kohë të plotë.
Edhe sistemi universitar me cilësi të lartë e ka bërë Belgjikën një zgjedhje popullore midis studentëve ndërkombëtarë në mbarë botën. Vendi është i njohur për birrën, çokollatat, inxhinierinë, instrumentet shkencore, tekstilet dhe prodhimin e automobilave.

Austria

Austria ka perspektiva ekonomike premtuese pasi ka disa shkolla dhe universitete ndërkombëtare. Për më tepër, mund të gjeni dikë që t’ju punësojë pavarësisht nëse jeni punëtor i huaj si në ndërmarrjet e mëdha ashtu edhe në ato të vogla. Austria është vendi ku duhet të shkoni nëse jeni duke kërkuar për një punë në teknologji, biznes, financë, kujdes shëndetësor ose shkencë, pavarësisht se njihet për ndërtesat e saj madhështore dhe ka nxjerrë disa nga kompozitorët klasikë më të njohur në botë si Mozart dhe Haydn. Të ardhurat mesatare mujore për punëtorët me orar të plotë janë 2,521 Euro në muaj.

/A.Muraçi/ Liberale.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com