SHIFRA E DITËS: Sa ishte dhe sa mbeti Çamëria pas gjenocidit, për të cilin Greqia hesht?!

Vendet fqinje kanë përdorur të gjitha mjetet e mundshme, për të zhbërë kombin shqiptar, si në kohën kur ishin për shekuj me radhë të pushtuar nga perandoritë e kohës, ashtu edhe pas shpalljes së pavarësisë. Është e njohur marrëveshja e fshehtë mes Greqisë, Serbisë dhe Italisë, pas vitit 1912 për copëtimin e trojeve shqiptare. E nëse Italia u tërhoq më vonë, Serbia dhe Greqia pasi bindën Fuqitë e Mëdha dhe përfituan territore shqiptare, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të kenë pretendime në trojet tona, ndonëse faktet janë të hidhura: brenda territoreve të tyre, nga Lugina e Preshevës dhe deri në Çamëri, jeton një popullsi me shumicë dërrmuese shqiptare. Për nuk ka asnjë fakt historik që të tregojë se shqiptarët janë vendosur aty përmes ndonjë lufte për pushtim apo zaptim territoresh.

Që nga gënjeshtrat, te tezat të cilët hidhen në publik, duhet pranuar që përhapen edhe nga shqiptarë të blerë prej tyre, ose nuk dallojnë dot argumentin dhe faktin nga mashtrimi. Dikur misioni realizohej duke ndaluar shkollat shqipe, ndërsa sot përmes promovimit të pseudo-intelektualëve, me prapavijë politike, fatkeqësisht anti-kombëtare.

E ndërsa Greqia dhe Serbia pretendojnë për territore dhe ngrenë zërin të drejtat e pakicave kombëtare në Shqipëri, veç gjenocidit që është dokumentuar me fakte, të dyja vendet fqinje historikisht kanë mohuar të drejtat më minimale të shqiptarëve, aq sa na njohin sot e kësaj dite me përrallat e tyre historike si emigrantë ose më keq akoma si “pushtues”.

Ndërkohë, që disa faqe patriotike në rrjetet sociale, në një kohë kur Greqia pretendon se Himara është e saj, i kujtojnë shtetit grek historinë e Çamërisë.

‘Kjo është Çamëria me 15 mijë kilometra dhe 9 rajonet e saj. Çështja Çame nuk harrohet i nderuari ministër që sot kërcënove gjithë shqiptarët. Epiri është Shqipëri”, shkrua faqja “Një Komb”, një ndër faqet patriotike të cilat mbrojnë të drejtat e shqiptarëve dhe territoret e tyre.

Po cila është historia e Çamërisë, të cilët grekët bëjnë sikur nuk e njohin?

Jo më larg se 100 vite më parë. Që kur Greqia mori Çamërinë plotësisht në vitin 1913, janë djegur me qindra shtëpi dhe janë vrarë mijëra shqiptarë mysliman nga forcat ushtarake dhe paraushtarake greke. Nën një terror dhe trysni për të braktisur trojet e tyre shqiptarët në Çamëri rezistuan fort deri në vitin 1945, kur edhe përfundoi zyrtarisht spastrimi etnik i kësaj pjesë që banohej që në kohët antike vetëm nga shqiptarët.

Terrori shtetëror grek ndaj popullsisë shqiptare pas vitit 1912, vërehet tek mos përfaqësimi i tyre në Kuvendin e Greqisë dhe në drejtimin e bashkive ku shqiptarët edhe pse ishin shumicë nuk mund të fitonin asnjë përfaqësues. Vetëm në zgjedhjet për deputet të vitit 1915, në Qarkun e Prevezës mundën të dilnin deputet Ali Dino, nga “Formacioni të Partisë në Qeverinë e Njësuar”, dhe Razim Mysli i pavarur. Pas vitit 1920, asnjë shqiptar nuk ka mundur të fitojë një vend në Kuvendin e Greqisë. Ali Dino kandidoi disa herë për deputet, por nuk fitoi pasi shteti grek qëllimisht shqiptarët myslimanë i fuste për të votuar në Prefekturën e Janinës ku ata ishin pakicë.

Shqiptarët në Çamëri është dokumentuar se mbetën një minoritet i shtypur, i pa përfaqësuar, i grabitur nga vetë shteti i tyre edhe pse kishin dhënë kontribut në themelimin e tij. Kjo gjendje e rëndë vazhdoi të përkeqësohej edhe më tej. Shqipëria protestonte nëpër organizatat ndërkombëtare për shkeljet e të drejtave të njeriut, për shkeljen e Marrëveshjes së Lozanës ku Greqia njihte minoritetin shqiptar me të drejta të plota, por asnjë reagim pozitiv nuk bëhej.

Dy muaj para luftës italo-greke, të vitit 1940 qeveria fashiste e Metaksait burgosi në ishujt e Egjeut të gjithë meshkujt çamë nga mosha 16 deri 70 vjeç. Rekrutët çamë si shtetas grekë, të rekrutuar në vitet 1939, 1940 u vunë në punë të rëndomta, duke hapur rrugë e duke thyer gurë. Kapiteni i xhandarmërisë së Filatit, Stavridhis, duke kërcënuar deklaronte publikisht: “Ju myslimanët e Çamërisë, pritni që të vijë këtu Italia dhe Shqipëria. Ju lajmëroj se ajo ditë nuk do të vijë kurrë, por edhe sikur të vijë, ne grekët jemi 7.5 milionë dhe nuk do të lemë të gjallë asnjë çam”.

Shumë nga çamët që u burgosën dhe u internuan nuk u kthyen më. Ata vdiqën nëpër burgje dhe kampet e internimit, ende pa varr e adresë. Presionet e shumta që u bëheshin shqiptarëve në Çamëri gjatë periudhës që Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe ishte zgjedhur një qeveri kuislinge detyronte shumë çamë që të mendonin se shpëtimi i tyre është lufta, çlirimi nga diktatura fashiste e Metaksait.

Gjatë kohës që italianët ishin në Çamëri nuk ndodhi asnjë incident me burgosje, rrahje apo vrasje ndaj grekëve me karakter nacionalist. Shumica e shqiptarëve në Çamëri ishte rreshtuar në ushtrinë e rezistencës EAM-ELAS, dhe mbanin lidhje me partizanët e Shqipërisë.

Në mars të vitit 1942, në kulmin e krizës ekonomike të Greqisë, u arrit marrëveshje midis palëve ndërluftuese për shpërndarjen e ushqimeve në Greqi, të sjellë me anije suedeze nën kujdesin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Ngarkesat me ushqime në Greqi në fillim erdhën nga Kanadaja dhe pas vitit 1943 nga SHBA.

Deri në kapitullimin e Italisë fashiste, shtator 1943, në Çamëri nuk ishte kryer asnjë masakër, ekzekutim kolektiv apo individual nga italianët, por edhe nga grupet e parregullta të çamëve të cilët armët i kishin për vetëmbrojtje. Gjithashtu, grekët që ishin policë, xhandarë dhe grupet e rezistencës nuk kishin kryer asnjë sulm kundër shqiptarëve myslimanë. Përveç vrasjeve të lartpërmendura me karakter të zënkave personale, grabitje të pronave dhe gjakmarrjes.

Historiografia e Greqisë, dokumentet angleze e asaj kohe, italiane, gjermane, etj., nuk sjellin asnjë të dhënë se në Epirin e Jugut-Çamëri gjatë pushtimit italian prill 1941-shtator 1943 të jenë kryer masakra kolektive, djegie të fshatrave, pjesëmarrës të së cilës kanë qenë edhe shqiptarët e Çamërisë.

Gjenocidi më i egër dhe fatal ishte ai i viteve 1944-1945, pas pushtimit gjerman, ku forcat ushtarake të EDES të udhëhequr nga klerikë ortodoksë grekë me veshje ushtarake kryen masakrat çnjerëzore mbi popullsinë e pambrojtur çame. Vetëm në Filat, gjatë periudhës qershor 1944-mars 1945, u masakruan dhe u vranë 1.286 persona, në Gumenicë u vranë 192, në Margëlliç e Pargë 626 persona etj. U shkatërruan 68 fshatra, u dogjën dhe u rrënuan 5.800 shtëpi, u shkatërruan të gjitha objektet e kultit si dhe u grabitën pasuritë, pronat e këtyre kulteve (mbi 80 xhami)28. Sipas një liste, sipas të cilës qenë regjistruar emrat e të vrarëve dhe vendit të tyre të origjinës më pas se 1200 viktima civile janë identifikuar për periudhën 1944-1945.

Përfundimi i genocidit grek kundër popullsisë shqiptare në Epirin e Jugut-Çamëri ishte tragjik. Pothuajse Çamëria u spastrua nga etniteti shqiptar që i përkiste besimit mysliman. Në fshatrat ku banonin shqiptarët mysliman u vendosën refugjatë grekë të ardhur nga Azia e Vogël dhe grekë të tjerë të ardhur nga pjesët e tjera të Greqisë. Shumë fshatrave ju ndërruan emrat, u ndërruan toponimet e shumë vendeve për të zhdukur çdo gjurmë shqiptare në Epirin e Jugut.

Nga një popullsi prej 35.000 vetash, që ishte paraluftës, mbetën vetëm disa dhjetëra familje. Të vrarët dhe të humburit arrijnë shifrën 2300 vetë. Të vdekurit gjatë emigracionit për mungesë ushqimesh dhe nga sëmundjet e ndryshme 2400 vetë.

Shteti grek sekuestroi shtëpitë dhe tokat pa të drejtë, me ligje dhe gjyqe të montuara, dhe mijëra bagëti u vodhën, ngordhën ose u dëmtuan.

Sot Greqia flet për të drejtat e shtetasve të saj, të minoritetit të saj, duke injoruar nga ana tjetër çështjen çame dhe të drejtat e shqiptarëve, e nga kjo qasja shkon deri atje se kërcënon të ardhmen e Shqipërisë në BE, çka e bën atë të mos gjejë pajtueshmëri me vendet e tjera të Bashkimit Europian. Si një vend Europian, ka ardhur koha që Greqia të pranojë të drejtat e shqiptarëve dhe të grekëve  njësoj.

Përgatiti: a.m/ Liberale.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com