SHIFRA E DITËS: Qeveria plan për emetimin e eurobondit të 7-të. Çfarë do të thotë të marrësh borxh për të shlyer bor

Aranit Muraçi

“Të blesh me borxh është si të dehesh. Dehja vjen shpejt e të ngre moralin, pastaj vjen më e dhimbshmja”.
Kjo thënie e Joyse Brothers i shkon për shtat vendit tonë, që duket se e ka të pamundur të menaxhojë borxhin e jashtëm që është marrë në tregjet ndërkombëtare dhe që nuk po shlyhet pa marrë një tjetër borxh. Madje po rritet në vlerë.

Edhe pse qeveria aktuale e kritikoi shpesh borxhin e parë që mori qeveria e kaluar në vitin 2010 (një borxh 300 milionë euro) duke pretenduar se ky borxh do të vlente për shlyerjen e borxheve të tjera, më shumë se 10 vite pas ardhjes në pushtet të së majtës, Shqipëria e ka përsëritur marrjen e eurobondin çdo dy vjet dhe e ka rritur thuajse në dy deri herë vlerën e tij.

E ndërsa po debatohet për projekt-buxhetin e vitit 2024, qeveria po shqyrton mundësinë e emetimit të eurobondit të shtatë gjatë viti të ardhshëm. Lajmin e konfirmoi ministri i Financave Ervin Mete.

Emetimi i ri i eurobondit, i cili ishte parashikuar të emetohej në vitin 2025, mund të ndodhë më herët nëse qeveria do të ketë nevojë për më shumë fonde, me qëllim për të përmbushur nevojat e saj, tha ministri Mete, pa dhënë informacion shtesë e të detajuar mbi parametrat e mundshëm të eurobondit.

Në skenarin bazë, nevoja për financim neto nëpërmjet huamarrjes për vitin 2024 vlerësohet në rreth 34.5 miliardë lekë (330 milionë euro), sipas të dhënave zyrtare. Për optimizimin e kostos, huamarrja nga partnerët ndërkombëtarë si Banka Botërore, banka gjermane e zhvillimit KfW dhe agjencia franceze e zhvillimit AFD për mbështetjen buxhetore ose financimin e projekteve do të jetë një burim i rëndësishëm financimi.

Në projektbuxhetin e vitit 2024 janë akorduar rreth 60.9 miliardë lekë për pagesat e interesit të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, theksoi Mete.

Republika e Shqipërisë emetoi Eurobond-in e saj të parë në tregjet ndërkombetare financiare në 4 Nëntor 2010. Eurobond-i është një obligacion, pra një titull financiar me afat maturimi më shumë se nje vit i emetuar dhe tregtuar në tregjet ndërkombëtare financiare.

Në muajin qershor të këtij viti, Shqipëria emetoi një Eurobond 5-vjeçar për një shumë totale prej 600 milionë eurosh. Eurobondi i kaluar mbante një kupon 5.9%, më i lartë se kuponi 3.50% i eurobondit 650 milionë euro i emetuar në nëntor 2021.
Prej kësaj shume, 400 milionë euro do të përdoreshin për mbulimin e deficit buxhetor, ndërsa 200 milionë euro për shlyerjen e eurobondeve të pamaturuara.
E thënë ndryshe vazhdohet të merret borxh për të shlyer një tjetër, duke shtuar borxhet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com