Aranit Muraçi
Një studim i “PISA 2022” mbi arsimin që u fokusua në matematikë, lexim dhe shkencë, tregoi një rënie të dukshme në vendin tonë, sa i përket cilësisë dhe performancës së nxënësve.
Rreth 690.000 nxënës morën pjesë në sondazhin dhe vlerësimin e vitit 2022, duke përfaqësuar rreth 29 milionë 15-vjeçarë në shkollat e 81 vendeve dhe ekonomive pjesëmarrëse. Në Shqipëri, 6129 nxënës, në 274 shkolla, përfunduan vlerësimin në matematikë, lexim apo shkencë, duke përfaqësuar rreth 28.400 nxënës 15-vjeçarë (79% e popullsisë totale të 15-vjeçarëve).
PISA 2022 në studimin dhe analizën e saj përfshinte gjithashtu edhe njohuri financiare të të rinjve, i cili ishte opsional për vende dhe ekonomi të ndryshme. Rezultatet për matematikën, leximin dhe shkencën u publikuan sot, më 5 dhjetor 2023 dhe rezultatet për të menduarit krijues dhe edukimin financiar do të publikohen në vitin 2024.
Siç tregojnë edhe tabelat (në fund) sa i përket rezultateve në matematikë, si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë mbetur shumë vende pas të gjitha vendeve të rajonit, si Serbia, Mali i Zi, Kroacia apo edhe Greqia. Në shkencë renditemi po ashtu të fundit me të gjitha vendet e tjera, por si ndryshim Shqipëria është vetëm një vend poshtë Maqedonisë së Veriut. Dhe më keq akoma, situata e nxënësve paraqitet në lexim, ku Shqipëria dhe Kosova pozicionohen pranë njëra-tjetrës, në fund të tabelës, ku qëndrojnë krahas tyre vendet e botës së tretë.
Taulant Muka, ish-zv.ministër Arsimi për një periudhë të shkurtër kohore, thotë se performanca e shkollave tona, para-universitare vazhdon të bjerë nga viti në vit. – “Performanca në lexim, matematikë dhe shkencë e nxënësve rezulton më e ulët se në vitin 2001- duke iu referuar rezultateve të fundit të PISA. Jemi rreth 150 pikë larg mesatares Europiane, dhe vetëm 2 pikë larg Palestinës që është në gjendje lufte!”, shkruan Muka përmes një denoncimi në Facebook, duke iu referuar të dhënave të PISA. Kjo gjendje sot që do të reflektohet me siguri nesër në universitete, nëse nuk ndryshon, do të kontribuojë në një të ardhme edhe më pesimiste për vendit tonë.
Një nga arsyet është buxheti për arsimin, që zyrtarisht shkon në rreth 3 për qind të PPB-së, shumë larg mesatares së Bashkimit Europian dhe më poshtë të gjitha vendeve të rajonit. Përpos mungesës së investimit, janë edhe arsye të tjera si mungesa e përgjegjësive për të skanuar gjendjen dhe për ta përmirësuar atë, ose e thënë ndryshe, mungesa e një vizioni të qartë për të ardhmen e vendit.
Rënia e rezultateve të nxënësve në Shqipëri e analizuar dhe publikuar nga “PISA 2022” duket se lidhet edhe me faktorë të tjerë. Në fund të vitit 2019, një tërmet i fortë goditi Shqipërinë, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, përfshirë shkolla dhe shtëpi, në 12 qytete kryesore. Rreth gjysma e studentëve pjesëmarrës në PISA 2022 (50.5%) janë me origjinë nga qytetet më të goditura nga tërmeti. Deri në prill të vitit 2022, kur u zhvillua PISA, nxënësit kanë vijuar mësimet jashtë shkollave të tyre, me turne dhe orë të reduktuara. Pandemia e Covid-19 i shtoi sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor në Shqipëri në vitet 2020 dhe 2021: kurse gjendja e infrastrukturës dixhitale paraqiste vështirësi të mëdha për përdorimin efektiv të mësimit online edhe në distancë. Ndërprerjet e shkaktuara nga tërmeti dhe Covid-19 në jetën psiko-sociale të nxënësve dhe studentëve mund të kenë ndikuar negativisht në angazhimin e studentëve në PISA 2022.
Kënaqësia e nxënësve dhe e studentëve me jetën, në përgjithësi, ka rënë ndjeshëm në shumë vende ashtu si edhe ekonomia gjatë viteve të fundit. Në vitin 2022, 12% e studentëve nxënësve dhe e studentëve në Shqipëri raportuan se nuk ishin të kënaqur me jetën e tyre: ata e vlerësuan kënaqësinë e tyre me jetën midis 0 dhe 4 në një shkallë që varion nga 0 në 10, dhe krahasuar me vitin 2018, më pak studentë nuk ishin të kënaqur me jetën (5 %). Mesatarisht në vendet e OECD-së, përqindja e studentëve që nuk janë të kënaqur me jetën u rrit nga 11% në 2015 në 16% në 2018 dhe 18% në 2022.
Asnjëherë nuk është vonë për të marrë përgjegjësitë me qëllim për të ndryshuar gjendjen e arsimit tonë, në të gjitha ciklet e tij. Edhe Britania e Madhe, vendi me universitetet më të mira në botë, në analizën e çdo viti i referohet çdo mendimi kritik mbi gjendjen, për t’i dhënë mundësi përmirësimit.