Aranit Muraçi
Shumë nga ndërmarrjet e ujësjellësve në vendin tonë ndodhen në prag falimentimi, për shkak të borxheve të larta që kanë akumuluar. Borxhet më të shumta janë ndaj OSHEE-së. Absurdi shkon edhe më tej, sepse ujësjellësve në të shumtën e rasteve u kanë detyrime të pambledhura institucionet e tjera shtetërore. Kështu, është krijuar një zinxhir borxhesh mes vetë institucioneve shtetërore ku në shumicën prej bashkive të vendit ndërmarrjet e ujësjellësve po mbijetojnë nga fondet shtesë të qeverisë. Janë para që qeveria i siguron përmes taksave.
Ndërkohë që sfidë për qytetet më të mëdha, përfshirë Tiranën, prej kohësh nuk është më furnizimi me ujë të pijshëm. Qytetarët ankohen se nuk kanë as ujë për t’u larë ose për nevoja të tjera shtëpiake. Por çfarë ndodh me Shqipërinë, që numëron më pak se 3 milionë banorë dhe për nga sipërfaqja është një ndër katër vendet më të pasura me burime ujore?
Krahasimi më i mirë janë dy vende të tjera të BE-së, Holanda dhe Malta. Të dyja këto vende i plotësojnë nevojat me ujë të pijshëm nga rubineti për 24 orë pa ndërprerje. Holanda madje i ka afruar kohët e fundit ekspertizë Tiranës, kryeqytetit shqiptar, që ndërmarrja ujësjellës-kanalizime të dalë nga kolapsi.
Ujësjellësit me koncesion
Pavarësisht reformave dhe ndryshimeve, duket se ka ardhur kohë që edhe ujësjellësat të jepen me koncesion. Qeveria shqiptare nisur nga situata e krijuar parashikon të zbatojë një qasje të re mbi organizimin dhe funksionimin e sektorit të ujësjellës kanalizimeve që prej dekadash vuan nga problemet financiare dhe cilësia jo e kënaqshme e shërbimeve të ofruara për konsumatorët. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka prezantuar te konsultimet publike projektligjin “Për sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane”, ku një nga alternativat është dhe dhënia e shërbimit me koncesion.
Drafti i ri përfshin rregullim të përgjithshëm dhe bashkëpunim nëpërmjet qeverisjes qendrore dhe vendore nëpërmjet 3 formave për ofrimin e shërbimit për furnizim me ujë, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura për 1 zonë ose disa zona bashkë në rast se operatorët e licencuar për këtë shërbim nuk arrijnë të performojnë. Format e bashkëpunimit për ofrimin e shërbimit parashikohen të jenë nëpërmjet marrëveshjeve me koncesion, kontratat e perfomancës, si dhe operatori i alternativës së fundit.
Malta, pa asnjë burim
Malta nuk ka liqene, lumenj apo rezervuarë natyrorë, kështu që edhe pse është e rrethuar nga uji në detin e bukur Mesdhe, duhet të marrë ujë nga mjedisi ashtu siç e gjen atë, pra në det. Pjesa më e madhe e ujit të rubinetit vjen nga impiantet e shkripëzimit dhe Malta ka katër të tilla në Ghar Lapsi, Pembroke, Cirkeëëa dhe Hondoq, Gozo. Këto impiante përpunojnë ujin dhe shtojnë klor për të garantuar sigurinë e tij, sipas standardeve të BE-së.
Sipas të gjitha udhëzimeve të BE-së dhe OBSH-së, uji i rubinetit në Maltë është i sigurt për t’u pirë . Furnizimi me ujë të rubinetit në Maltë i nënshtrohet Direktivës (BE) 2020/2184 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të datës 16 dhjetor 2020, e cila hyri në fuqi në janar 2021.
Holanda, 24 orë ujë të pijshëm
1/3 e territorit të Holandës është nën nivelin e detit. Cilësia e ujit të pijshëm në Holandë është e shkëlqyer. Në çdo shtëpi, në vendin e pasur të Europës me 17 milionë banorë uji i pijshëm nuk mungon 24 orë. Holanda e merr ujin e pijshëm nga burime nëntokësore dhe sipërfaqësore. Kompanitë e pajtuara nga autoritetet e pastrojnë ujin nga këto burime, duke prodhuar ujë të pijshëm që është në përputhje me kërkesat ligjore të institucioneve shëndetësore. Këto institucione jetike monitorojnë gjithashtu cilësinë e ujit të pijshëm nga burimi në rubinet, përmes njohurve mbi mikroorganizmat, rrezatimin, toksikologjinë, epidemiologjinë, hidrologjinë, kiminë dhe CBRN (Radiologjia Kimike Biologjike dhe Bërthamore), çka i bën qytetarët holandezë të jenë të mbrojtur dhe të sigurt për cilësinë e ujit të pijshëm.
Uji i pijshëm holandez dhe sistemi i ujit të pijshëm vlerësohet më i mirë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. Kështu kanë shkruar studiuesit në revistën shkencore Science. Studiuesit vijnë nga universitete dhe institucione kërkimore amerikane, britanike dhe zvicerane. Për më tepër, klori nuk shtohet në ujin e pijshëm holandez, gjë që siguron një shije më të mirë, më pak korrozion të tubacioneve dhe më pak përbërje të dëmshme që formohen me klor.
Në disa vende evropiane si Holanda, Zvicra, Austria dhe Gjermania, uji furnizohet pa klor të shtuar përderisa ka mbrojtje të burimeve, pastrim të mirë dhe mirëmbajtje të mirë të sistemit të shpërndarjes. Janë kryer disa hapa dhe trajtime në lidhje me pastrimin e ujit, si filtrimi i rërës, trajtimi me ozon, trajtimi me karbon, filtrimi përmes membranave speciale dhe trajtimi me dritë ultravjollcë. Nëse një nga këta elementë ose hapa mungon ose nuk menaxhohet siç duhet, dezinfektuesit shtohen në ujë.
Të paktën gjysma e rrjetit të tubacioneve është zëvendësuar në Holandë që nga viti 1970 dhe, për rrjedhojë, tubat janë mesatarisht 33 deri në 37 vjeç. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 22% e rrjetit total të tubacioneve është më i vjetër se 50 vjet. Në Britaninë e Madhe, mosha e jo më pak se 60% e rrjetit është e panjohur. Vlerësohet se mosha mesatare e gypave është nga 75 deri në 80 vjeç.
Përqindja e rrjedhjeve është vetëm 6% në Holandë krahasuar me 16% në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 25% në Britaninë e Madhe.
Si konkluzion, nëse Holanda nuk mund të ndiqet si model, Malta duhet t’i bëjë më turp drejtuesit e institucioneve shtetërore në Shqipëri, të cilët u premtojnë ujë të pijshëm prej tri dekadash qytetarëve, por nuk iu garantojnë dot as ujë për nevojat e tjera.