Të dhënat e Eurostat, Instituti Europian i Statistikave, tregojnë se vlera e remitancave në Shqipëri (para që sjellin emigrantët) arriti në vitin 2022 nivelin më të lartë të dekadës së fundit. I njëjti trend ka vijuar edhe në 9 muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipëri.
Sipas Eurostat, remitancat arritën vlerën e më shumë se 1.2 miliardë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Vlera e raportuar nga Eurostat u referohet remitancave të matura si dërgesa apo transferta personale dhe të ardhurave të punonjësve nga puna jashtë vendit.
Punësimi jashtë vendit përfshin punësimin sezonal, atë afatshkurtër si dhe të ardhurat e punonjësve ndërkufitarë apo në distancë.
Megjithatë, Shqipëria është poshtë mesatares së rajonit të Ballkanit Perëndimor, për sa i përket peshës që remitancat kanë kundrejt ekonomisë së vendit. Për vitin 2022, mesatarja e vlerës së remitancave kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte pranë nivelit të 10.5% (matur si mesatare e thjeshtë e raportit për 6 vendet e rajonit)
Të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se vendi me varësinë më të madhe nga remitancat në rajonin tonë mbetet Kosova. Për vitin 2022, remitancat përbënin 17.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Vijon Mali i Zi, me 13.3%, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, me 10.2%. Shqipëria renditet në vendin e katërt, me një vlerë remitancash sa 9.2% e PBB-së së vendit.
Serbia përfiton nga remitancat në masën e 9% të PBB-së, ndërsa mbyll renditjen Maqedonia e Veriut, me 3.4% të PBB-së. Të dhënat e Eurostat tregojnë që Bashkimi Europian është një burim shumë i madh dërgesash për vendet jashtë Unionit.
Vitin e kaluar, transfertat personale nga BE drejt vendeve jashtë BE-së arritën në më shumë se 43.5 miliardë euro, në rritje për të gjashtin vit radhazi vit radhazi Kjo rritje ishte me 14% më shumë krahasuar me vitin 2021 dhe shpjegohet me faktin se gjatë dekadës së fundit po tregu u punës në BE po tërheq gjithmonë e më shumë punëtoë nga Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.
Vala e re e emigrimit e dekadës së fundit i ka dhënë shtysë një cikli të ri të rritjes të remitancave, që ngelen një burim i rëndësishëm për të ardhurat e familjeve shqiptare dhe një zë me peshë të konsiderueshme në bilancin e pagesave të vendit. Kjo shpjegon edhe faktin se pse janë rritur remitancat, në një kohë kur popullsia është tkurrur.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e remitancave ka vazhduar edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2023. Për 9-mujorin e parë të këtij viti, dërgesat e emigrantëve dhe të ardhurat nga puna arritën në 1.05 miliardë euro, në rritje me 16.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pavarësisht këtij kontributi të çmuar në ekonomi, emigrantët shqiptarë nuk kanë fituar ende të drejtën e votës. Pothuajse gjysma e popullsisë aktive për punë jeton jashtë vendit. Por ndryshe nga vendet e tjera përfshirë edhe ata të rajonit, emigrantët shqiptarë nuk vendosin për të ardhmen e tyre, megjithëse ka pasur më në lëvizje ndonëse të vonuara që edhe ata ta fitojnë të drejtën minimale për të votuar.