Një 40-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në Durrës. Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar. I plagosuri është Mikel Spirollari, i cili ndodhet në spital për të marrë trajtim mjekësor.
Burime bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes komshinjve.
Konkretisht, 40-vjeçari u qëllua me armë nga Gentian Kuqi 50 vjeç. Ky i fundit është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim nga policia.
Sipas të dhënave të para, plagosja ndodhi pas një sherri për zhurmat mes komshinjve. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për kapjen e autorit të dyshuar.
INFORMACIONI PARAPRAK I POLICISË SË DURRËSIT:
Në lagjen nr 4 në Durrës, si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi G.K, 50 vjeç, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin M.S, 40 vjeç, (komshi), i cili është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën dhe vijon puna për kapjen e autorit, i cili pas plagosjes së shtetasit M.S, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes. Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes do të ketë njoftim të dytë.
/a.r