Preç Zogaj
Italia u trondit këto ditë nga vrasja çnjerëzore e njëzet e dyvjeçares, Xhulia Çeketini, nga ish i fejuari i saj. Një tragjedi e paralajmëruar nga vetë viktima në një audio të transmetuar posmortum nga Rai Uno; një histori dhe një krim që ka shkundur ndërgjegjen e një kombi, duke shkaktuar shumë idhnim e zemërim.
Këngëtari i famshëm, Adriano Çelentano, goditi me citimin e lutjes së njohur “Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit, lutu për ne mëkatarët, tash e në fill të vdekjes sonë, amen”, duke e zëvendësuar fjalën “ mëkatarët” me fjalën “ burrat vrasës”.
Elena Çeketini, motra e madhe e viktimës, shpërndau një poezi tepër prekëse me titullin “Nëse neser nuk u përgjigjem thirrjeve të tua, mam”, shkruar nga aktivistja peruane, Kristina Torre Kaceres. Poezia u dedikohet grave viktima të dhunës dhe vrasjeve nga burrat, ish të dashurit, ish të fejuarit, tutotët, trafikantët, deri nga të afërm të tyre. Siç ndodh edhe në vendin tonë. Vargjet e saj kanë pushtuar menjëherë të gjitha mjetet informacionit në Apenine dhe priten të jenë kolona zanore e marshimit që do të zhvillohet nesër në Romë në ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave.
Po e botojmë në një përkthim-përshtatje të shpejtë për lexuesit tanë. Në vijim dy poezi të mijat për të njëjtën temë me titujt “Apokalipsi” dhe “Gratë nuk na duan më”.
Nese nesër nuk u pergjigjem thirrjeve të tua
Nëse nesër nuk u përgjigjem thirrjeve te tua, mam,
Nëse nuk të çoj fjalë po vij për darkë, nëse taksia s’do shfaqet,
Ndoshta më kanë mbëshjellë në çarçafët e një hoteli, ose në një qese te zezë,
Ndoshta jam në një valixhe, ose kam tretur në një plazh…
Mos ki frikë, mam, nëse sheh se me kanë rrahur me grushta!
Mos klith kur të shohësh se më kanë zvarritur!
Mam, mos qaj nëse sheh se me kanë lidhur në shtyllë!
Do të të thonë isha unë, se ishin teshat e mia, alkoli në gjak.
Do të të thonë se e kisha hak, se isha vetëm,
Se ish psikopati im kishte arsye, se unë ia dridhja, se isha një putanë,
Se kam guxuar, mam, të fluturoj
shumë -shumë lart në një botë pa ajër.
Të betohem mam, kam vdekur duke luftuar
Të betohem, mam, kam bërtitur fort ashtu siç lart fluturoj.
Do të kujtohesh për mua, mam, do ta dish se isha un që të rrënova
kur të kesh përballë të gjithë ata që do të ulërijnë enrin tim.
Sepse e di, mam, nuk do të ndalesh.
Mos e lidh motren time,
Mos i mbyll brënda kushërirat e mia, mos i privo nipat e tu
Nuk është faji yt, mam, nuk ka qenë as imi.
Lufto për flatrate e tyre, për ato krahë që mu prënë,
Lufto për ta, që të mund të jenë të lirë të fluturojnë
Edhe më lart se unë,
Lufto për të klithur më fort se unë ,
Mund të jetojnë pa frikë, mam, ashtu siç jetova unë.
Mam, mos e laj me lot hirin tim!
Nëse nuk kthehem neser, mam
shkatërroj të gjitha gjërat e mia-
E fundit dua të jem, nëse neser me bie radha mua.
——————————————————————-
Apokalipsi
Sot në ditën e Apokalipsit
po soset një ditë e qetë në Shqipëri,
Asteroidi që pritej të binte u pendua.
Por mua s’më ikën nga mendja
fytyra e qeshur e një gruaje të vrarë
me shenjën e plumbit të vdekjes në ballë,
si të ish ringjallur pak në të zbardhur
për t’i lënë kujtim së bijës buzagazin,
teksa qe kapur beft nga vrasësi.
Vajza e saj- për fat!- po luan mendsh,
Po zbulon engjej, po sheh parajsën,
Po hidhet, po qan nga gëzimi, po fle
në krahët diellore të mëmës së shtrenjtë.
Por do të vijë dita të kthjellohet, ahiiii!
Do ta kujtojë të jëmen në dhomë duke pritur
me duar dhe përçmim si një sulm insektesh
të padukshmit plumba që vinë për t’i dhënë fund
të fundit vështrim të saj për të-
E më s’do ta dijë pas atij çasti
çfarë shkolle bëri, jetimja bijë,
A u martua, a pati fëmijë…
(Ky është apokalipsi).
Gratë nuk na duan më
I shkruaj këto rreshta duke u bërë njësh
me unin tim të hershëm prej poeti
kur haja pak dhe doja shumë:
Gratë nuk na duan më, o burra!
Nuk duhet të na duan më, o burra!
Njeri prej nesh, më fjalëpakti,
Ai që ndalej rrallë në lokale,
Ai që kthehej herët në shtëpi,
Ai që hidhte plehrat, që gatuante,
sup me sup me gruan e tij-
Me dy të shtëna … e divorcoi,
Pastaj iu turr me breshëri
një fjollë të bardhë tymi- i shkoi mendja
se shpirti i saj po u ikte plumbave.
Gjersa e bëri se ishte mashkull,
të gjithë ne jemi vrasësit.
Po e dimë: nuk kishte bole!
Vrasësit e grave nuk kanë bole!
S’na duan më gratë, o burra!
Na kanë kuptuar se kush jemi.
Ca dinakë, ca gjitarë…
Na kanë kuptuar se i humbim
të gjitha betejat me radhë.
Kemi veç një për t’u ngrefosur,
Si të pasoj, si burracakë:
Të thyejmë gratë.
Të vrasim gratë.