Departamenti amerikan i Shtetit shpalli sanksione të reja ndaj mediave shtetërore ruse të premten, duke akuzuar një media të kontrolluar nga Kremlini se po punon ngushtë me ushtrinë ruse dhe se po organizon fushata për mbledhje fondesh për të blerë armë snajper, jelekë anti-plumb dhe pajisje të tjera për ushtarët që luftojnë në Ukrainë.
Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj medias RT për shkak të shpërndarjes së propagandës së Kremlinit dhe dezinformatave, por akuzat e së premtes sugjerojnë që roli i këtij organi shkon përtej operacioneve të ndikimit. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se RT është pjesë thelbësore e makinerisë ruse të luftës dhe përpjekjeve të saj për të minuar aleatët demokratë të Shteteve të Bashkuara.
“RT-ja dëshiron që kapacitetet e saj të fshehta të zbulimit, siç janë përpjekjet e saj të propagandës dezinformuese që vazhdojnë prej një kohe të gjatë, të mbeten të fshehura”, deklaroi të premten Sekretari Blinken.
“Kundërpërgjigja jonë më e fuqishme ndaj gënjeshtrave të Rusisë është e vërteta. Të zbulojmë për publikun atë që Kremlini po përpiqet ta bëjmë nën petkun e errësirës”.
RT-ja ka krijuar faqe interneti, të cilat pretendojnë të jenë faqe legjitime lajmesh për të shpërndarë dezinformatë dhe propagandë në Evropë, Afrikë, Amerikën e Jugut dhe në vendet tjera, sipas zyrtarëve. Ata thonë se kjo media po ashtu ka zgjeruar përdorimin e operacioneve kibernetike përmes një entiteti të ri, të krijuar vitin e kaluar, të lidhur me zbulimin rus.
Përpjekja e fundit e RT-së kishte për qëllim mbledhjen e fondeve nga publiku me synim për të blerë pajisje për ushtrinë ruse, disa prej të cilave u blenë në Kinë, thonë zyrtarët. Lidhjet ndërmjet RT-së dhe fushatës për mbledhjen e fondeve nuk ishin të qarta dhe nuk kishte ndonjë shenjë se zyrtarët kinezë e dinin që prodhimet e tyre po i shiteshin Rusisë.
Veprimet e RT-së tregojnë “që ajo nuk është thjesht një stacion dezinformimi, por pjesë e plotë e aparatit të zbulimit dhe veprimit të qeverisë ruse”, tha Jamie Rubin, i cili drejton Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit.
Sanksionet e shpallura të premten vënë në shënjestër organizatën simotër të RT-së, TV-
Novosti, si dhe një grup tjetër shtetëror mediatik, të quajtur ‘Rossiya Segodnya’, si dhe ndaj drejtorit të saj të përgjithshëm, Dmitry Kiselyov. Një organizatë e tretë dhe drejtuesi i saj, Nelli Parutenko, u vendosën nën sanksione nën pretendimin se kanë organizuar një skemë për blerje votash në Moldavi, me synimin për të ndihmuar kandidatët e preferuar nga Moska në zgjedhjet e radhës./VOA